Valdete Daka: Zgjedhjet lokale, sa më herët aq më mirë

Valdete Daka: Zgjedhjet lokale, sa më herët aq më mirë

21.06.2017 09:42:51

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha të mërkurën se data e zgjedhjeve lokale sa më herët të jetë, aq më mirë, pasi zgjedhjet lokale do të kenë edhe balotazh, ku si rrjedhojë certifikimi do të merr kohë dhe procesi mund të vazhdojë edhe pas vitit të ri.

Daka në takimin konsultativ të presidentit Thaçi me partitë politike lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve lokale tha se siç kanë organizuar zgjedhjet parlamentare, KQZ e ka obligim kushtetues t’i organizojë edhe ato lokale, kurdo që ato shpallen.

Kryetarja e KQZ-së kërkoi nga subjektet politike që t’i kenë parasysh të gjitha rrethanat pasi zgjedhjet lokale organizohen në periudhën kur shkohet drejt dimrit.

Për këtë, Daka kërkoi që data e zgjedhjeve të caktohet sa më herët që është e mundur, pasi në zgjedhjet lokale mund të ketë edhe balotazh, ku procesi i certifikimit mund të shkojë edhe pas dhjetorit dhe mund të kenë problem me buxhetin.