Duke nisur nga dita e shtunë, gradualisht do të kemi tërheqjen e masave ajrore të nxehta, ndërsa të dielën nga Ballkani verior do të afrohet një front i ftohtë, i cili do të sjellë një sistem me vranësira të shoqëruara me reshje shiu në zonat malore pjesërisht dhe në zonat e ulëta reshjet do të jenë në formën e rrebesheve dhe stuhive të izoluara.
Në bregdet, në jug të vendit, do ketë reshje shiu dhe rrebeshe të forta. Nga reshjet e shiut do preken edhe zonat e bregdetit të Durrësit. Ndërsa zona e plazhit të Velipojes dhe Shëngjinit ditën e diel pritet që të mos preken nga moti i keq.
Megjithatë, temperaturat do të pësojnë rënie të ndjeshme në të gjithë vendin, duke u luhatur nga 22 gradë Celsius në zonat malore deri në 32 grade në zonat e ulëta dhe bregdet.
Por në mesjavën tjetër pritet të afrohen sërish erërat e nxehta sahariane, me temperaturat që do të pësojnë rritje duke iu afruar vlerave deri në 37 gradë Celsius, duke zgjatur edhe përtej fundjavës.