VIDEO-MËRGIMTARËT MËSOJNË PËR HISTORINË E KOSOVËS

24.07.2017 21:10:40

Ditët e pushimit, mërgimtarët i kalojnë edhe me aktivitete të ndryshme. Ardhja në Kosovë u shërben atyre për t`u njohur edhe më shumë me historinë e vendit prej nga ata kanë origjinën. Për këtë arsye shumë të rinj u mblodhën në parkun e Gërmisë për të mësuar me shumë nga e kaluara e paraardhësve të tyre.

Linda Shala jeton në Norvegji, gjatë pushimeve në vendlindje, ka ardhur në këtë kamp që të mësojë më shumë për historinë e Kosovës.

Ajo është pjesë e shumë të rinjve nga Diaspora, Shqipëria dhe Kosova, që po marrin pjesë në kampin veror të organizuar nga Ministria e Diasporës dhe OJQ “Toka“.

“Se mu ka dok si një organizatë shumë e mirë, me u njoftua me fëmijët shqiptarë se nuk njoh shumë njerëz edhe kam dëshirë të bëjë aktivitete në natyrë. Po më duket që kam me mësua për disa vende të reja, pak për historinë e Kosovës”, tha ajo.

Pas një eksperience të paharruar  nga viti I kaluar ,ka edhe  të atillë që  për herë të dytë vijojnë  këtë kamp.
Edhe Blerta Osmani, tha se është hera e dytë që merr pjesë në kampin Toka, përkatësisht kampin diaspora.

“Arsyeja se pse kam vendos me u kthye është se ka qenë eksperiencë e paharruar, kemi vizituar shumë vende, bukuri natyrore dhe më ka lënë shumë mbresa të mira dhe kom vendos që ja vlen me u rikthye përsëri me ardhur në këtë kamp, kam takuar njerëz të ri dhe ka qenë e eksperiencë e paharruar”, tha ajo.

Kurse Florent Mehmeti, deklaroi se vitin e kaluar ka kaluar shumë mirë, pasi që ka takuar njerëz nga diaspora dhe arsyeja se pse ka ardhur edhe këtë vit dëshiron t’i takoj prapë edhe njerëz të rinj, për të mësuar kulturën e Kosovës më shumë.
Kurse ministri në largim i Diasporës, Valon Murati, tha se ky kamp është në vazhdën e politikave të ministrisë për t`i ofruar të rinjtë e diasporës me atdheun.

“Kampi që sot fillon dhe do të përfundoj më 28 korrik është në vazhdën  politikave të ministrisë për të ofruar të rinjtë, fëmijët dhe nxënësit nga diaspora me atdheun, për t’i njohur me bashkëmoshatarët e vetë nga Kosova, nga Shqipëria në mënyrë që çfarë do barriere që mund të krijohet për shkak të largësisë për shkak të rritjes në ambiente të ndryshme të filloj të shuhet. Ministria e Diasporës në vazhdimësi organizon aktivitete të tilla dhe ne do të bëjmë përpjekje që këto aktivitete në të ardhmen t’i rrisim, t’i intensifikojmë sepse i konsiderojmë jashtëzakonisht mekanizma dhe instrumente të dobishme për të afruar të rinjtë me diasporën”, tha Murati.

Ndërsa, drejtoresha e OJQ-së “Toka”, Jehona Gjurgjeala, tha se qëllimi i kampit është krijimi i raporteve mes të rinjve prej diasporës, Kosovës dhe rajonit.

Kampi veror me të rinjtë nga diaspora organizohet në qendrën rekreative “Gërmia” dhe do të jetë i hapur prej sot e deri më 28 korrik.