Shkodër, eksploziv në derën e shtëpisë së 58-vjeçarit

23.08.2017 10:44:22

Një shpërthim me eksploziv ka ndodhur sot në orët e para të mëngjesit në një banesë në Shkodër.

Sipas policisë lokale, rreth orës 04.00 në lagjen “Skënderbeg”, në një pallat dy katësh tek dera e jashtme e shtëpisë së 58-vjeçarit Rr.P., ka ndodhur një shpërthim.

Në hyrje të banesës është vendosur lëndë plasëse, e cila ka shkaktuar një shpërthim të fuqishëm, duke terrorizuar familjarët e shtëpisë, por edhe fqinjët e tyre.

Për pasojë është dëmtuar dera e jashtme si dhe tavani i korridorit të banesës.

Policia po vijon hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Ndërkohë po punohet për të zbuluar ndonjë konflikt të mundshëm që mund të ketë patur i zoti i shtëpisë apo familjarë të tij.