A do jetë bota si më parë, pas apokalipsit të pandemisë?

17.06.2020 08:57:04

Kjo pyetje që ka ngjallur aq shumë kërshëri, ngaqë nuk është si retorikat e zakonshme, ka vënë në lëvizje jo vetëm politikën e përbotshme, por më shumë se atë, qarqet shkencore, organizmat mjekësore, ato social ekonomike e deri tek njerëzit e thjeshtë. Kjo për vetë përmasat apokaliptike që mori pandemia, duke gjunjëzuar pjesën më të madhe të botës, me humbjet e shumta të jetëve njerëzore, si dhe pikiata që kanë marrë shifrat e rënies ekonomike. Duke mos mjaftuar kriza financiare e vitit 2008, goditja që dha pandemia i ka çuar shifrat në nivelet e pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo pandemi e pazakontë, i ka dhënë një goditje rendit ndërkombëtar liberal, duke ringjallur ekstremizmat në mbarë globin. Nga historia kemi mësuar se krizat e mëdha, me përmasa globale të paparashikueshme, kanë nxitur izolimin, nacionalizmin, si dhe fashizmin shkatërrimtar të Luftës së Dytë Botërore. Kjo epope katastrofike krijoi marrëdhënie të reja, duke favorizuar lindjen e superfuqive Lindje-Perëndim, SHBA-BS. Por ndërsa SHBA u bënë shpresa e ruajtjes së paqes dhe sigurisë në botë, BS vuri nën diktat vendet e Europës Lindore, ku pjesë e këtij kolonizimi u bë edhe Shqipëria. Megjithëse nuk qëndroi shumë gjatë në suazën e diktatit të ish-BS, duke u shkëputur nga Traktati i Varshavës, si dhe më vonë edhe ndërprerja e marrëdhënive me Kinën e Mao Ce Dunit, bëri që shoqëria shqiptare të përjetojë izolimin dramatik, me pasoja të rënda njerëzore e social-ekonomike. Përmbysja e sistemit ngjalli shpresat dhe aspiratat e dikurshme, ngaqë shqiptarët sytë dhe mendjen e kanë patur tek aleati i hershëm historik SHBA, të cilët u bënë shpëtimtarë të kombit tonë më 1919 dhe 1999. Mendimi i Presidencës amerikane për tërheqjen e 30% të forcave nga Europa, Lindja e Mesme, Japoni e Koreja e Jugut, ka ngjallur jo pak reagime, se SHBA po shfaq rënie relative. Humbja e identitetit të saj si fuqi globale, fillon me sulmet terroriste të 11 Shtatorit 2001, që u pasua më dështimet e ndërhyrjes ushtarake në Iran, si dhe në shkatërrimin e radikalizmit islamik. Por edhe kjo situatë e pazakontë ndoshta do bëjë të njëjtën gjë, duke krijuar marrëdhënie të reja të shkaktuara nga koronavirusi, që po komentohet në mënyrat më të pabesueshme, ku në të shumtën e rasteve marrin karakter terrorizues dhe ekzagjerues. Por diferencën e masave për përballimin kësaj situate, po e bëjnë vetë vendet e ndryshme në Europë dhe në botë, ku shembulli më i mirë për gjithë botën është Suedia. Nëse Shqipëria në unison edhe me vendet e tjera rrotull saj fillimisht veproi mirë, shkelja e rregullave gjatë rihapjes bëri që të rishfaqen infeksione të reja. Pandemia nuk bëri dallim midis vendeve demokratike dhe atyre me sisteme të kundërta, diferencimet i bënë vetë qeveritë e vendeve që me menaxhimet jo efikase, shkaktuan humbje të mëdha në njerëz, si në SHBA, Rusi, Angli Itali, Brazil, Peru, Kinë etj. Ndryshe ndodhi në vendet e tjera më pak të prekura nga kjo pandemi, si Spanja, Franca e Gjermania që u treguan më racionale. E megjithatë zhurma e madhe mediatike, shkaktoi më shumë psikologji terrori dhe çoroditje, pavarësisht se humbjet në njerëz kanë qenë më pak se sa gjatë goditjeve të mëparshme nga viruset dhe epidemitë. Por e veçanta e këtij virusi është se ai, mbetet më ngjitës se të mëparshmit dhe transmetohet edhe pa patur një simptomë. Kjo ka sjellë rishfaqje në shumë vende, gjë që u pa edhe në Shqipëri, nga mungesa e seriozitetit në respektimin e rregullave të detyrueshme. Por ajo që merr përparësi është se asnjë vend i prekur nga pandemia, që ka patur edhe rënie ekonomike, nuk mund të ketë kurajon të shpallë fitoren ndaj këtij “armiku” që gjunjëzoi botën. Përsëritjet e infeksionit në shumë vende dhe shtrirja në polin jugor, si rezultat i ndryshimeve klimatike, do të ngadalësojë hapjet ekonomike. Por ajo që shqetëson më shumë vendet e prekura, janë falimentimet e bizneseve, humbja e vendeve të punës, mungesa e lëvizjes se njerëzve dhe mallrave, turizmi, që për pasojë ekonomia nuk mund të rikthehet si para Covid-19. Më keq akoma do të jetë zgjatja e krizës, e cila po favorizon kompanitë e mëdha, gjigantët e teknologjisë, mbasi ndërveprimet dixhitale po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme. Kjo po sjell edhe pasojat politike, që do të jenë edhe më domethënëse nga akt flijimet dhe vetëflijimit kolektiv. Kjo situatë që po i kalon kufijtë e viruseve të mëparshme, me recensionet ekonomike do shkaktojë pashmangshmërisht tensione, të cilat do të shndërrohen në reagime politike. Këto reagime kanë filluar të shfaqen ndaj SHBA, për mos reagim serioz ndaj situatës, që u pasua me humbje të konsiderueshme njerëzore dhe 30 milionë vende pune, gjë që kanë zbehur prestigjin e saj në botë. Rishfaqjet dhe lëvizjet e virusit nga poli veriut në atë jugor, mund të çojnë në rënie relative jo vetëm SHBA, por edhe vendet e tjera si rezultat i izolimeve me dhe pa kriter. Kjo situatë mund të shkaktojë erozion të rendit ndërkombëtar, ashtu si kriza e viteve ‘30, që solli në skenën politike të atyre viteve struktura të rendit fashist, që shkaktoi katastrofën botërore. Por nuk është çudi që të shohim edhe të kundërtën e asaj situate, duke parë rilindje të demokracive liberale, të cilat kërkojnë kurajo dhe mbështetje nga demokracitë moderne. Por nëse lëvizjet do të instrumentohen nga qarqet ekstremiste, duke shfrytëzuar faktorin nxitës aktual pandeminë, fenomenet mund të ndryshojnë në mënyrë dramatike, në një konflikt ndërkombëtar, që për pasojë do të vihen përballë aktorët kryesorë, ku turbulencat midis tyre do të jenë më të mundshme se sa ato të brendshme. Një tjetër shqetësim për përhapjen e këtij virusi, janë ndryshimet klimatike në hemisferën jugore, ku vendet e varfra me qytete të mbipopulluara nuk mund t’i shmangen infeksionit. Në këto vende një rol negativ do të luajë distancimi social, por ajo që tërheq më shumë vëmendjen e politikës dhe OBSH, është se gati gjysma e popullsisë së botës, nuk ka kushte higjeno-sanitare, nuk ka qasje të rregullt të ujit të pijshëm. Historikisht pandemitë e dikurshme kanë nxitur vizione, kulte, që kanë rritur ankthe ekstreme, duke shkaktuar vështirësi të stërzgjatura. Po a do të ndodhë kështu edhe me këtë situatë, ashtu si pas Luftës së Parë Botërore, me zhvendosje masive të popullsisë? Specialistë të fushave të ndryshme, nuk mendojnë se do të përsëritet historia. Ata thonë se ashtu siç ndodhi me depresionin e madh që prodhoi fashizmin, nga ana tjetër ringjalli demokracitë liberale. Kështu që edhe kjo pandemi mund të bëhet shkaku i prodhimit të disa rezultateve pozitive politike. Me gjithë vështirësitë që janë shkaktuar nga kjo epidemi, ajo ju dha popujve një përvojë të madhe menaxhuese, në njohjen, trajnimin dhe përballimin e saj. Ajo favorizoi profesionalizmin dhe eksperiencën e specialistëve të mjekësisë, duke lënë pas demagogjinë e shumë mediave, që e kthyen propagandën në terrorizëm psikologjik. Kjo krizë zbuloi mjaft mangësi në menaxhimin e situatave në shumë vende, por edhe aftësi pozitive të shumë qeverive, ndër to edhe ajo e Shqipërisë, që u mbështet tek burimet kolektive, specialistët dhe solidariteti social. Kjo krizë me gjithë dëmet që shkaktoi, ajo shtroi nevojën e bashkëpunimit brenda dhe jashtë vendeve, për t’u besuar më shumë zbulimeve shkencore, autoriteteve të shëndetit publik, për të qenë sa më afër realitetit dhe reagimit qytetar.