A do të kalojë Bahtiri në LVV, flasin nga AKR-ja

18.05.2018 15:50:43

Gjatë ditës së sotme u raportua se nënkryetari i AKR-së, Agim Bahtiri, ka marrë vendim që shumë shpejt të kalojë në Lëvizjen Vetëvendosje, raporton “Zëri.info”.

Mirëpo, një gjë të tillë e mohojnë drejtuesit e AKR-së, pjesë e së cilës është aktualisht Bahtiri, raporton zeri.info. I kontaktuar lidhur me këtë çështje, sekretari i këtij subjekti, Vesel Makolli, ka thënë se nuk asgjë të vërtetë në këtë drejtim.

“Absolutisht jo. Ne jemi nënkryetarë, edhe ai, edhe unë. Ai e zëvendëson presidentin kur nuk është”, ka thënë Makolli. Madje, ai ka pohuar se me Bahtirin kanë pasur një takim para dy javësh, të cilin e ka udhëhequr pikërisht Bahtiri.

“Para dy jave kemi pasur mbledhje, atë mbledhje e ka udhëhequr vetë Bahtiri. Nuk ka përmendur diçka. Ai është i privilegjuar, nuk besoj që e gjen dikund tjetër këtë privilegj”, ka theksuar Makolli për “Zëri.info”.

Duke komentuar publikimin e këtij lajmi, Makolli tha se dikush po tenton ta dezinformojë publikun.