A do të ketë koalicion parazgjedhor LDK-Vetëvendosje? Flet deputetja Haxhiu

22.07.2019 17:15:57

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e kanë përjashtuar mundësinë e koalicionit parazgjedhor.

Ramush Haradinaj ditë më parë, ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeminsitrit por presidenti Hashim Thaçi ende nuk e ka shpallur datën e zgjedhjeve. Ndërkohë partitë politike kanë filluar të mendojnë për koalicionet parazgjedhore.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë për lajmi.net, se brenda partisë është diskutuar një koalicion të mundshëm me LDK-në, por që nuk është marrë asnjë vendim.

Haxhiu ka deklaruar se i vetmi subjekt politik në vend që nuk e ka pasur asnjë herë timonin e qeverisjes është Lëvizja Vetëvendosje.

“Prandaj po them që i vetmi subjekt politik që mund të sjell ndryshme në favor të interesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës është Lëvizja Vetëvendosje. Pa dyshim se ne këtu na duhet kemi koalicion edhe me ndonjë subjekt politik. E kemi diskutuar koalicionin me LDK-në, nuk kemi vendosur asgjë në organet tona. Siç e dini Këshilli i Përgjithshëm dhe Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje janë organe përgjegjëse për ta marrë këtë vendim, por besoj që këto organe pastaj do të vendosin se si do veprohet tutje pasi që të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme”, deklaroi Haxhiu për lajmi.net, e cila shtoi se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, aktualisht kanë një bashkëpunim shumë të vlefshëm pavarësisht siç theksoi ajo, se disa individë nga LDK-ja kanë bërë përpjekje që ta pengojnë këtë bashkëpunim.

Tutje, Haxhiu ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje është e fokusuar që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Haxhiu po ashtu ka thënë se të gjitha subjektet politike në vend, përfshirë edhe koalicionin PAN, qytetarët i kanë parë se si qeverisin, ndërkaq Lëvizja Vetëvendosje është ajo e cila asnjëherë deri më tani nuk ka udhëhequr me shtetin.

“Megjithatë ne aktualisht si Lëvizje Vetëvendosje jemi duke parë mundësitë se si vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme sa më parë sidomos pas dorëheqjes së ish-kryeministrit Haradinaj. Prandaj ne jemi të fokusuar në këtë pikë. Është me rëndësi që të theksohet diçka, kanë pasur rastin edhe qytetarët po ashtu që të shohin pothuajse këto subjekte politike të cilat janë aktualisht në skenën politike se si kanë qeverisur me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje që asnjëherë nuk ka qenë, nuk e ka pasur timonin apo drejtimin për të qeverisur me vendin. Por në këtë kuptim nuk kemi parë asnjë qasje ndryshe nga asnjë parti politike e tash kjo e fundit, koalicioni PAN që ne i jemi referuar si “PANHajnia”, për shkak të skandaleve, ia ka dhënë si me thënë goditjen e fundit politike, ekonomike e sociale Republikës së Kosovës”, deklaroi Haxhiu për lajmi.net

Sipas Haxhiut, i vetmi subjekt politik në vend që mund të sjellë ndryshime në favor të interesave të qytetarëve, është Lëvizja Vetëvendosje.

Se një koalicion parazgjedhor mund të ndodhë në mes të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, nuk e ka përjashtuar as deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli.

Sipas tij, deri te koalicioni i LDK-së me Vetëvendosjen mund të vije nëse partitë e tjera bëjnë koalicione parazgjedhore.

“Normalisht kjo ende nuk është diskutuar në strukturat e partisë, është herët, por mendimi im personal është që nëse partitë e tjera bëjnë koalicione parazgjedhore neve na imponohet të punojmë në këtë drejtim. Pra, nëse formohet një PAN i ri, na imponohet një koalicion me Vetëvendosjen”, ka deklaruar Avdyli.