A do t’i vendos Policia e Kosovës kamerat në trup?

04.02.2017 12:40:45

Për shkak të një standardi më të mirë të transparencës në punën e policëve dhe rritjes së besimit tek Policia nga ana e publikut, në Shqipëri dhe shumë vende tjera u janë vendosur pjesës dërmuese të policëve kamerat në trup. Megjithatë, në Kosovë ende nuk është marrë në vendim i tillë.

Policia e Kosovës, e ka parë të arsyeshme që këto kamera të vendosën vetëm në disa çështje operacionale që ata e konsiderojnë më të rëndësishme.

Zyra për informim e Policisë së Kosovës, ka bërë të ditur për lajmi.net, se posedojnë persona adekuat të cilët i përcjellin detajisht me kamera rastet e duhura.

“Varësisht prej nevojave operacionale, Policia e Kosovës ndërmerr veprimet e nevojshme për të arritur objektivat e saj qoftë edhe duke realizuar apo autorizuar xhirimet edhe përmes kamerave”.

Kamera e cila vendoset në trupin e policëve, është instrument i fuqishëm antikorrupsion dhe gjithashtu rrit standardin e sigurisë tek policët. Me anë të saj regjistrohen edhe bisedat mes policëve dhe qytetarëve.

“Policia e Kosovës për realizimin e  detyrave dhe autorizimeve të saj sipas ligjit angazhon kapacitetet e saj në dispozicion duke përfshirë edhe pajisjet e parapara për realizim efektiv dhe arritje të objektivave ligjore”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për informim.

Policia e Kosovës bëri të ditur se fillimisht nuk janë të planifikuara që këto kamera të hyjnë në funksion edhe tek Policët e Kosovës, pasi ende nuk është parë e arsyeshme të vendoset tek pjesa e tyre dërrmuese, pasi që një pjesë e tyre vetëm se posedojnë kamera të tilla atëherë kur ata e shohin të rëndësishëm ndonjë operacion nga ana e tyre.