A e ka hapur Milaim Zeka fazën e egër të shantazheve, apo si Baton Haxhiu dikur, po tregon historinë e tij me UDB-në?

15.02.2017 20:00:50

Nga Rexhep Kastrati

Milaim Zeka ka treguar se ka qasje në dokumente të UDB-së, sepse si njeri me pasaportë evropiane, paska mundësi të ketë qasje në arkivat sekrete të saj, në Slloveni dhe në Kroaci!

Ky Milaim Zeka, o është në fazën kritike të gjendjes së tij psikike, o është duke menduar se shqiptarët janë budallenj dhe nuk i kuptojnë disa çështje që lindin me këtë rast.

Së pari, Milaim Zeka, e di, ose besoj se duhet ta dijë se ka vite që shërbimet e ndryshme kroate dhe sllovene kanë shpërndarë disa dokumente të ndryshme, në të cilat janë emrat e disa personaliteteve të ndryshme publike. Prandaj, atë dokumente nuk janë tashmë sekrete dhe janë të shumtë që i kanë.

Së dyti, edhe mënyra e qasjes në dokumente të tilla, si mënyrë që lidhet me faktin se ka pasaportë evropiane, e rrëzon ekskluzivitetin, pasi që nëse qenka kusht që të kesh pasaportë evropiane për të pasur qasje në arkivat e UDB-së, atëherë po del se secili qytetar që ka pasaportë evropiane paska qasje në ato arkiva, e që më tej do të thotë se secili qytetar i BE-së dhe i ndonjë shteti evropian i paska në dispozicion dokumentet që janë në ato arkiva.

Pra, në këtë drejtim, nuk besoj se është shumë e rëndësishme kjo që thotë Milaim Zeka për këto, sa është e rëndësishme të përcillet se përse ai pikërisht në këtë kohë bën publike se paska qasje në arkivat e UDB-së. A ka të bëjë kjo me faktin se sa më shumë që po afrohet koha kur do të ngriten akuzat e para nga Prokuroria speciale e Dhomave të Posaçme, apo të Gjykatës speciale, aq më shumë po tensionohet gjendja brenda llojit, përkatësisht brenda atyre që mund të jenë të akuzuar dhe të atyre që mund të jenë dëshmitarë? Përveç kësaj, a mos po provon Milaim Zeka të shtojë dozën e shantazheve ndaj personaliteteve të ndryshme për shkak të rolit të tij në gjithë fazat e angazhimit të tij publik, pra që nga fillimvitet ’80 të shekullit të kaluar? Apo është dëshmitar bashkëpunues i Prokurorisë speciale?

Të kujtojmë se Baton Haxhiu, para se të shkonte për të dëshmuar në Tribunalin e Hagës, kishte bërë një rrëfim në katër numra të gazetës “Zëri”, nëpërmjet të të cilit kishte pranuar kontaktet me Jovica Stanishiqin. Dhe ky rrëfim ishte bërë si për të parapërgatitur opinionin për ato që mund të dëgjoheshin gjatë dëshmisë së tij.

Sa u përket shantazheve, është e qartë se skena politike, medietike dhe në përgjithësi skena publike është e shantazhuar vazhdimisht dhe janë shantazhuar dhe po shantazhohen personalitete shumë të rëndësishme të skenës politike, medetike e publike, si dhe janë personalitete politike, medietike  dhe përgjithësisht publike që po shantazhojnë.

Pas luftës në Kosovë, janë gjetur dosje të ndryshme për perosnlaitete të ndryshme, të cilat janë përdorur për shantazh, në mënyrë që politikanë të ndryshëm, biznesmenë, gazetarë dhe personalitete të ndryshme publike-intelektuale të detyrohen të sillen në atë mënyrë siç u thuhet nga shantazhuesit.

Gjatë tërë këtyre viteve, politikanë të ndryshëm kanë spiunuar partinë e tyre, kanë bërë obstruksione të ndryshme dhe kanë përdorur pozitën e tyre për të krijuar favore për shantazhuesit e tyre dhe për të marrë më qafë shumë të tjerë.

Shantazhet kanë shërbyer edhe për të penguar funksionimin normal të shtetit, si dhe për të  penguar shumë procese të rëndësishme për vendin dhe për kombin.

Dhe në këto farë lojërash shantazhuese, janë implikuar thellë edhe agjentura të ndryshme, kurse rasti i Dragana Trifokoviqit është vetëm njëri nga restet e tilla. Ka edhe shumë emra të tjerë që do të bëhen publike me kohë, dhe që do të zbardhin më tej gjithë dëmet dhe arsyet se përse janë bërë këto dëme për vendin dhe për proceset e tij.

Prandaj, edhe Milaim Zekën duhet kuptuar drejt kur thotë se ka qasje në arkivat e UDB-së, dhe kur them këtë duhet parë në të gjitha aspektet që i përmenda më lartë, por edhe në aspekte të tilla, si gjendja psikologjike e Milaimit në këtë fazë, pasi që më parë ai ka thelluar shumë diskursin skizofrenik, si dhe ka bërë publike emra që mund të jenë të akuzuar nga Prokuroria speciale, pa e bërë të qartë se nga kush i ka marrë ato informacione dhe a kanë të bëjnë edhe shërbimet e ndryshme sekrete.

Gjithsesi, tashmë po bëhet e qartë se ka filluar faza e e egër e shantazheve, e frikës, e panikut dhe e së vërtetës. Hashim Thaçi që është përmendur si spiun i francezëve, e që tash po synon pajtimin dhe të vërtetën, vetëm sa ka shpërfaqur anën tjetër të kësaj që thotë Milaim Zeka.