A e përdori “trenin bullgar” Vetëvendosje për të fituar në Prizren?

29.11.2017 18:25:29

Një ndër anëtarët më të vjetër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Betim Gjoshi (PDK) ka votuar kundër shpalljes së rezultateve përfundimtare për kryetar të komunës së Prizrenit, ku Mytaher Haskuka i Vetëvendosjes ka dal i pari me një diferencë të ngushtë me kandidatin e PDK-së, Shaqir Totaj.

Në mbledhjen e KQZ-së që u mbajt të mërkurën, Gjoshi e ka arsyetuar votën e tij kundër rezultateve të kësaj komune, pasi siç ka thënë ai se ka dyshime të cilat po sforcohen çdo ditë e më shumë se këto rezultate nuk pasqyrojnë vullnetin e qytetarëve të kësaj komune.

Ai ka bërë akuza të forta në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje se të gjeturat nga numërimi i votave me kusht në QNR i bëjnë dyshimet e tij edhe më të bazuara se është aplikuar treni bullgar.

“Gjatë numërimit të votave me kusht në QNR në vikend, u pa që munguan 3 fletë votime dhe nuk janë brenda zarfeve. Kjo na bënë që të kemi dyshime të bazuara se është aplikuar i ashtuquajtur treni bullgar, një fenomen që shfaqet kur nga vendvotimi nxirren fletë votimet origjinale dhe ka mundur që me mijëra herë të keqpërdoret kjo”, ka thënë Gjoshi.

Ai ka shtuar se dyshimet e tij shtohen kur sheh Vetëvendosjen se si kundërshton me çdo lloj mjeti rinumërimin dhe hapjen e kutive të votimit.

Deklarimet e Gjoshit janë mbështetur edhe nga bashkëpartiaku i tij në KQZ, Ilir Gashi. Ai ka thënë se të gjeturat i kujtojnë shprehjen se “të gjitha rrugët të çojnë në Romë” dhe se është shumë e qartë se “të dielën dikush i ka hip trenit”.

“Më ka shqetësuar fakti gatishmëria e një subjekti politik edhe për luftë vetëm e vetëm që të mos hapen kutitë e votimit. Edhe kjo është një dëshmi e gjallë se ata e dinë saktë se çka ka në kutitë e votimit”, ka thënë Gashi.

Deklaratat e Gjoshit dhe Gashit janë kundërshtuar nga përfaqësuesi i Vetëvendosjes në KQZ, Adnan Rrustemi.