A i ka shkuar Serbisë dëm angazhimi disavjeçar kundër Kosovës? Po strukturat mafiozo-politike e medetike në Kosovë do vazhdojnë luftën speciale?

04.02.2017 19:16:54

Nga Rexhep Kastrati

Rrënimi i murit në veri nuk është thjesht rrënim i disa tonave beton të derdhur ndërmjet disa dërrasave, as thjesht rrënim i një ndërtimi pa leje, por është rrënim i një trajektoreje të provokimeve që kanë filluar që me deklaratën provokative të Jabllanoviqit në janar 2015, pra që në fillim të mandatit të Qeverisë aktuale të Kosovës. As ndalimi i trenit nuk është thjesht ndalim i një mjeti transporti udhëtarësh, por që ishte dekoruar me murale dhe ikonografi të estabilishmentit fetaro-shovenist, por ka qenë ndalim i avancimi të Serbisë drejt Kosovës. Simbolika e murit ka qenë ndarja, kurse simbolika e trenit ka qenë aneksimi i pjesës së ndarë të veriut. Dhe pikërisht rënia e këtyre dy simbolikave, ka trazuar Serbinë, edhe pse po mundohet ta paraqesë si fitore të politikës së saj, por ka trazuar edhe strukturat mafiozo-politike të Kosovës që kontrollojnë korpusin medietik të Kosovës dhe më gjerë. Me komente të ndryshme, me shkrime të ndryshme, por edhe me barcoleta të ndryshme të tipit të vodëvilit, po e shprehin trazimin e tyre: dikush e quan fitore të qytetarëve të Kosovës, shqiptarë dhe serbë, dhe mesazh se Serbia po u thotë serbëve se nuk mund t’u ndihmojë dhe se qendra e tyre është Prishtina, kurse dikush tjetër nga e njëjta kuzhinë medietike kundërshqiptare po thotë se muri është rrënuar për t’i hapur rrugë autonomisë serbe. Kjo është shenjë se mafiozët medietikë janë hallakatur dhe po i mëshojnë njëri-thumbit e tjetri patkoit, pasi që po u shkon dëm mundi dyvjeçar për të frymëzuar qytetarët për të rrënuar institucionet dhe shtetin e Kosovës. Dhe e kam thënë vazhdimisht, kurse tash po e pranojnë edhe të tjerë se qëllimi i angazhimeve të Serbisë në Kosovë qoftë nëpërmjet serbëve lokalë, qoftë edhe nëpërmjet strukturave mafiozo-politike shqiptare ka qenë pikërisht realizimi i ndarjes dhe i aneksimit që do të vinte nga destabilizimi i Kosovës dhe rënia e shtetit. Gjatë tërë kësaj kohe korpusi mafiozo-medietik është angazhuar tepër shumë që të zhvillojë një luftë speciale kundër Qeverisë dhe institucioneve të shtetit me qëllim përgatitjen e opinionit për t’i rrënuar ato dhe për t’i hapur rrugë pikërisht ndarjes dhe aneksimit. Pati nga ky korpus mafiozo-medietik që kërcënuan hapur me skenar ukrainas të përmbysjes së shtetit dhe të aneksimit të territorit të Kosovës. Dhe rënia e simbolikave të ndarjes dhe të aneksimit, në fakt ka bërë që të konsderohet, së paku për këtë fazë, e dështuar gjithë lufta speciale kundër Qeverisë dhe institucioneve të tjera të shtetit. Ndoshta më të qartë këtë e ka bërë edhe  bashkësia ndërkombëtare, përfshirë edhe NATO-n që kanë thënë se Kosova ka të drejtë të mbrojë territorin e vet, dhe se policia e Kosovës ka të drejtë të shkojë në veri. Në këtë mënyrë, Serbia dhe serbët tashmë e kanë të qartë se në Kosovë nuk është lehtë të luhet loja e ndarjes dhe e aneksimit. Sigurisht, me kaq nuk kanë marrë fund pretendimet e Serbisë ndaj Kosovës, dhe përderisa ka në Kosovë zëra të shumta që janë për ndarjen e saj, qoftë edhe si shkëmbim territoresh, shpresat e Serbisë nuk shuhen. Megjithatë, tashmë është bërë e qartë për të gjithë se Serbia nuk mund të futet në Kosovë pse i teket, kurse këtë mund ta bëjë vetëm nëse Kosova mund të gabojë, apo mund ta detyrojnë strukturat mafiozo-politike të gabojë.