A ishte “vendim i domosdoshëm” largimi i ambasadorëve politikë?

20.05.2021 19:38:38

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, ka miratuar më 19 maj propozimin e Qeverisë së Kosovës, për lirim nga detyra të ambasadorëve të emëruar politikë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka konfirmuar se bëhet fjalë për largimin e 13 ambasadorëve. Ata janë Beqë Cufaj- Gjermani, Nait Hasani – Shqipëri, Arbër Vllahiu – Çeki, Lirim Grejqevci – Holandë, Shpend Kallaba – Hungari, Gezim Kasapolli – Kroaci, Avni Kastrati – Slloveni, Gjergj Dedaj – Maqedoni e Veriut, Hajdin Abazi – Australi, Ylber Hysa – Mal i Zi, Avni Arifi – Emiratet e Bashkuara Arabe, Amir Ahmeti – Katar dhe ambasadori në Francë, Qëndrim Gashi.

Profesori Afrim Hoti, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se për shkak të mbingarkesës me staf politik, në shërbimin diplomatik të Kosovës, ka qenë i nevojshëm një ndryshim dhe ristrukturim thelbësor, në mënyrë që të respektohet baza ligjore.

“Pa dashur të reflektojë në shkarkimet aktuale, mendoj se diplomacia jonë ka nevojë për një veprim të tillë. Mbi këtë bazë, fatkeqësia nuk ka ardhur si rezultat i ndryshimit të qeverive, por si rezultat i implikimeve të shumta politike dhe të tejkalimit të këtij 50 për qindëshit të të emëruarve politikë. Mendoj se kjo e ka stërngarkuar dhe e ka bërë shërbimin e jashtëm shumë jo profesional, sepse në shumë vende vërtet kemi pasur ngarkesë të madhe, shtim të numrit të stafit të jashtëm kurse rezultatet kanë qenë shumë të vogla”, tha Hoti.

Largimi i ambasadorëve politikë, vendim i duhur

Kurse, Leonora Kryeziu, drejtoreshë ekzekutive në Institutin e Prishtinës për Studime Politike, ka thënë se deri në 80 për qind e ambasadorëve kanë qenë të emëruar mbi baza politike.

“Ajo që mbetet të shihet, është se si do të vazhdohet tutje dhe si do të emërohet stafi i ri. Këtu është mirë që qeveria të respektojë kuotën 50 për qind, për të emëruar ambasadorë të karrierës. Gjithashtu, edhe në emërimin e ambasadorëve politikë, ata mos të përzgjidhen vetëm se janë anëtarë partiakë, siç kanë qenë praktikat në të kaluarën, por të jenë ambasadorë me ekspertizë dhe profesionistë, të cilët vërtet mund të përfaqësojnë vendin në mënyrë të denjë”, tha Kryeziu.

Sipas ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik, së paku pesëdhjetë për qind të emërimeve të Ambasadorëve dhe Shefave të Misioneve, duhet të bëhet nga anëtarët në detyrë të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës.

Pjesa tjetër e të emëruarve mund të jenë të emëruar politikë.

Gërvalla: Përzgjedhja e ambasadorëve të rinj, javët e ardhshme

Por, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se në javët e ardhshme do të bëhet përzgjedhja e ambasadorëve dhe shefave të misioneve të rinj. Përmes një video-mesazhi, të enjten, Gërvalla ka thënë se lirimet e fundit përbëjnë vetëm një hap në reformën e thellë që do t’i bëhet shërbimit diplomatik të Kosovës.

“Ky vendim do të pasohet nga vendimet e tjera në nivelin strukturor të ministrisë dhe do të mbështet nga legjislacioni i ri, i cili do të ristrukturojë shërbimin diplomatik përgjatë standardeve ndërkombëtare. Ky vendim ndër të tjera, krijon hapësirën e domosdoshme për përmbushjen e obligimit ligjor, që së paku 50 për qind e emërimeve të ambasadorëve dhe drejtuesëve të misioneve, të jenë anëtarë të shërbimit të jashtëm të Republikës se Kosovës”, është shprehur Gërvalla.