A u pajtuan AAK e LDK? Tahiri e Hoti në takim sy më sy për temat me “rëndësi shtetërore”

26.08.2020 16:22:11

AAK dhe LDK po japin shenja se i kanë lënë prapa mosmarrëveshjet brenda koalicionit qeveritar.

Çështja e presidentit, dialogu dhe tema tjera kanë shkaktuar përçarje ditëve të fundit mes AAK-së dhe LDK-së, teksa nuk munguan as mesazhet paralajmëruese për prishje të koalicionit

E së fundmi, është zëvendëskryeministri nga AAK, Besnik Tahiri, ai që ka publikuar një fotografi nga një takim me kryeministrin Hoti.

Tahiri me anë të një postimi në Facebook ka shkruar se takimi është mbajtur në vazhdën e bashkërendimit të agjendës qeveritare.

Po ashtu, Tahiri tha se është diskutuar edhe për temat me rëndësi shtetërore.

“Në vazhdën e bashkërendimit të agjendës qeveritare, sot bashkë me kryeministrin z. Avdullah Hoti patëm takim pune dhe diskutim përmbajtësor për temat me rëndësi prioritare shtetërore”, ka shkruar Tahiri.

Ndryshe, ditëve të fundit mes LDK-së dhe AAK-së është ndezur tema e zgjedhjes së presidentit, teksa kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj e ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij.