AAK: Çdo përpjekje për të kontrabanduar demarkacionin, mund të eskalojë në zhvillime të dhunshme

04.08.2016 11:15:36

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se versioni aktual i Demarkacionit ka marrë përgjigjen dje në konferencën shkencore.

Sipas Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, vota kundër nënkupton mosratifikimin e versionit aktual të kufirit me Malin e zi, shënon edhe fillimin e zgjidhjes së kësaj çështjeje që e ka mbajtur peng vendin për afro një vit, transmeton Indeksonline.

Gjithashtu sipas tyre institucionet e shtetit dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, pavarësisht përkatësisë së tyre politike, sot më shumë se kurrë, kanë përgjegjësi që të vihen në mbrojtje të territorit të Kosovës dhe të interesave e të stabilitetit në vend.

Njoftimi i plotë nga AAK:

Versioni aktual i Demarkacionit e ka marrë përgjigjen dje në konferencën shkencore. Tash mbetet që kjo përgjigje të formalizohet edhe me votën kundër të deputetëve në Kuvend.

Vota kundër që nënkupton mosratifikimin e versionit aktual të kufirit me Malin e zi, shënon edhe fillimin e zgjidhjes së kësaj çështjeje që e ka mbajtur peng vendin për afro një vit.

Demarkacioni me Malin e zi, është një çështje jetike për Kosovën, dhe ky proces duhet të zhvillohet me profesionalizëm të plotë dhe në përputhje me standardet dhe me interesat e të dyja shteteve. Ky proces është mbipartiak. Konkluzat e një grupi deputetësh në fund të konferencës së djeshme, mund të jenë një hap fillestar i zgjidhjes së kësaj çështjeje.

Çdo përpjekje e presionit mbi deputetë, ose edhe përpjekje për ta kontrabanduar ose blerë votën pro kësaj marrëveshjeje, është papërgjegjësi totale, e cila druajmë se do të mund të eskalojë në zhvillime të dhunshme.

Institucionet e shtetit dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, pavarësisht përkatësisë së tyre politike, sot më shumë se kurrë, kanë përgjegjësi që të vihen në mbrojtje të territorit të Kosovës dhe të interesave e të stabilitetit në vend.