Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ende nuk ka vendosur nëse do të formojë Grup të veçantë Parlamentar apo jo.
Partia e kryeministrit Ramush Haradinaj aktualisht në Kuvend vepron në kuadër të koalicionit me PDK-në dhe Nismë, mirëpo kjo e fundit kjo ka konfirmuar se do të largohen nga PAN-i për vepruar si Grup i veçantë Parlamentar.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj dje ka thënë për lajmi.net se beson që AAK do ta ketë grupin e vet parlamentar.
“Ende nuk jemi mbledhur si Grup Parlamentar, pra deputetët e Aleancës për të biseduar se si do të funksionojmë. Besoj se edhe AAK-ja do të formojë Grup të veçantë Parlamentar sepse në këtë, duke qenë pjesë e secilit Komision Parlamentar kontributi ynë do të jetë shumë më i madh”, ka deklaruar Kadrijaj.
Ndërsa, sot zëdhënësi i kësaj partie, Muharrem Nitaj i pyetur nëse AAK do të formojë Grup Parlamentar, ka thënë se për këtë çështje “ende nuk është vendosur”.






































