AAK ende s’ka qëndrim për deklaratat e Erdoganit

31.03.2018 20:30:09

Ende asnjë zyrtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka dalur me një qëndrim për deklaratat e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, për Ramush Haradinajn.

Erdogan, pos tjerash, ka pyetur Haradinajn: “Udhëzimet e kujt ju bënë merrni këtë hap? Kur keni filluar të mbroni ata që organizojnë puç kundër Republikës së Turqisë?”, raporton Anadolu Agency. 

I pyetur nga Klan Kosova, këshilltari i Haradinajt dhe i ngarkuari për bisedime me Serbinë në Bruksel, Avni Arifi, ka thënë se nuk mund të japë një koment rreth kësaj çështje, pasi ende nuk e di saktë se çfarë ka ngjarë.

I vetmi nga qeveria që ka komentuar deklarimin e Erdoganit ka qenë Besnik Tahiri.

 

I emëruar ditë më parë koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se “Ramush Haradinaj nuk mund të shantazhohet e as kërcënohet, këtë e dinë të gjithë por nuk dëshirojnë ta pranojnë”.