AAK: Të drejtat e shqiptarëve janë obligim për Maqedoninë

28.04.2017 16:36:39

Përmes një kumtese, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës deklaron se ”të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, nuk janë zgjedhje por obligim i shtetit maqedonas.”

Në reagimin e AAK-së, mes tjerash thuhet se ”dhuna e mbrëmshme në Parlamentin e Maqedonisë është papranueshme dhe ne e dënojmë me forcë. Autoritetet e Maqedonisë duhet t’i pranojnë procedurat parlamentare dhe nuk duhet të nxisin dhunë, e cila në Maqedoni mund të ketë pasoja të pariparueshme.

Shqiptarët në Maqedoni janë të barabartë dhe nuk mund të diskriminohen mbi baza etnike.

Respektimi i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, nuk është zgjedhje por obligim i shtetit Maqedonas, dhe kjo nuk mund të ndryshojë.

Zgjedhja e Talat Xhaferit, për kryetar të Kuvendit, është legale dhe legjitime dhe kjo nuk mund të kontestohet, e aq më pak të shërbejë si shkas për përplasje etnike apo politike.

AAK fton autoritetet politike të shtetit fqinjë që të kapërcejnë mosmarrëveshjet dhe inkurajon BE-në dhe SHBA-në që të marrin një rol më aktiv në kapërcimin e krizës poltike në Maqedoni”, thuhet mes tjerash në kumtesën e AAK-së.