Abdixhiku: U thonë mos e lëshoni Kosovën, ndërsa u japin Ministra të dënuar për krim

17.03.2019 12:17:36
Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se në njërën anë u thuhet rinisë që të mos e braktisin Kosovën, ndërsa në anën tjetër u japin atyre Ministra të dënuar për krim.

Sipas tij të rinjtë nuk duhet lëshuar Kosovën asnjëherë, por që siç thotë ai, duhet çliruar nga kapja sepse në këtë gjendje ajo nuk jep as shpresë dhe as vullnet, përcjell lajmi.net.

Ky është postimi i plotë:

Bëhuni patriot ju të rinj thonë.

Mos e lëshoni Kosovën po thonë.

– Porse në këtë Kosovë, po të njëjtit u japin këtyre të rinjëve Ministra të dënuar për krim. Nga gjykatorja – gojën vesh më vesh – drejtë e në Qeveri. Ja hodhëm drejtësisë. Çfarë shembulli i trishtueshëm për këta të rinj.

– Ja hedhin drejtësisë sepse aty kanë vendosur shokë që s’kishin “kunkuru” asnjëherë. Të tjerët që s’i kishin vendosur aty, i ndoqën me kërcënim. Shokë si aty kanë vendosur edhe në shëndetësi, edhe në arsim, edhe në KEK, RTK, PTK, polici e intelegjencë. Nuk ka vend që s’e kanë prekë e flliqë. Kësaj i thonë zaptim.

– Ato pak vende pune që bëhen në këtë Kosovë u ndajnë fëmijëve të vet. Më pas grave e burrave të tyre; kunatave e miqve që kanë – akrabave rend, deri sa s’u mbetet kush pa një vend. Dhe të shikojnë drejt në sy e të thonë “ishin më të zot, s’kishim asnjë ndikim ne”.

– Në festën më të rëndësishme të shtetit për këta të rinj, atë për pavarësi, vendosin të mashtrojnë në lapsa, flamuj, ushtri e deklarata për pavarësi. S’u ikën asnjë cent. Këta lapsin se shohin për shkrim; e shohin si mjet për “me e zhbi”.

– Liberalizimin që e premtuan për 30 ditë s’po e bëjnë as për 2 vjet. Këta të rinj që i shfrytëzuan për kauza karrige, i mbajnë tash të mbyllur në një burg masiv. Vet, ndërsa, me fëmijë e pasaporta dyshtetësie shëtisin lirshëm nëpër Evropē. Dhe atë në udhëtime më eksluzive. Nga paratë?!

– 53 milionë Bechtelit e 52 milionë ujit, “50 e kusur milionë” duhanit, kazinove, e kujt jo tjetër – janë bërë tashmë brend. Hajnia e mashtrimi kanë marrë përmasa multimilionëshe. 50 e sa milionëshe saktësisht.

Të rinj, këta veç për një gjë kanë të drejtë. Kosovën s’duhet lëshuar asnjëherë. Por Kosovën nga ta duhet çkapur me themel. Sepse kështu e kapur siç është, ajo s’jep as shpresë e as vullnet. /