Abdullah Hoti: Ne i jemi borxhli Enver Zymberit, familjes së tij dhe...

Abdullah Hoti: Ne i jemi borxhli Enver Zymberit, familjes së tij dhe gjithë oficerëve policorë të rënë në krye të detyrës

26.07.2020 11:25:33

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, sot mori pjesë në ceremoninë përkujtimore për heroin Enver Zymberi.

I shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, kryeministri Hoti ka vendosur lule te lapidari i heroit të Kosovës, Enver Zymberi.

Me këtë rast, kryeministri Hoti tha se sot bashkë me ministrin, drejtorin e Policisë, oficerë dhe zyrtarët e lartë policorë kanë dalë të bëjnë nderime për Enver Zymberajn, të rënë në krye të detyrës për të mbrojtur rendin kushtetues dhe integritetin territorial të vendit, për të shtrirë Kushtetutën dhe ligjin në çdo cep të territorit të Kosovës.

“Ne i jemi borxhli atij, familjes së tij dhe gjithë oficerëve policorë të rënë në krye të detyrës dhe që po bëjnë punën e tyre çdo ditë. I përgëzoj për këtë dhe u jam mirënjohës gjithmonë”, tha kryeministri Hoti.

Enver Zymberi, u vra me 26 korrik 2011 në Leposaviq, gjatë aksionit për të shtrirë kontrollin e Kosovës në pjesën veriore të vendit.