Abrashi – Ahmetit: Qytetarët nuk duan të dëgjojnë ankesa, duan zgjidhje

13.11.2017 22:51:16

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi ka thënë se në kuadër të urbanizmit do të punojnë në projekte që kanë penguar zhvillimin e Prishtinës.

I plotësuar (22:45) -Abrashi ka thënë se po dëgjon arsyetime nga Ahmeti, por që nuk është bërë zgjidhje

“Qytetari nuk do që të dëgjojë ankesa, do që të bëhet zgjidhje”, ka thënë ai, derisa ka folur për urbanizmin.

“Njerëzit nuk kanë në flet poseduese shtëpitë dhe kjo nënkupton mos zhvillim të atyre familjeve”.

“Mendoj që është lehtë të flitet, për transparencë, por në qytet është e kundërta. Në faqen e Prishtinës janë larguar të gjitha lejet dhe kjo është tendencioze dhe nuk mund të flasim për ankesa. Nuk ka pasur qasje pragmatike për zgjidhjen e problemeve”, ka thënë ai.

Më tej Abrashi ka thënë se nga Prishtina kanë ikur edhe investitorët.

Ahmeti: Abrashi flet kot, LDK-ja për 14 vjet nuk investoi as 800 milionë në Prishtinë

Kryetar aktual i Prishtinës, Shpend Ahmeti, e ka quajtur premtimin e Arban Abrashit për investime 1.2 miliardë euro, gjuajte numrash.

Madje ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës këtë shifër nuk e ka arritur as për 14 vjet qeverisje, e aq më pak ta bëjë për katër.

“Për 14 vjet LDK-ja nuk ka investuar as 800 milionë, e lëre më të arrijë vlera prej 1.2 miliardë euro. Lehtë është veç të gjuhen numra pa i shpjeguar”.

Abrashi: Përkundër zhurmës për autobusët, nuk po shohim rezultate

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi ka prezantuar planin e tij për rregullimin e trafikut në kryeqytet.

Abrashi ka thënë se katër vitet e fundit është folur për autobusë, planin e mobilitetit, parkingun nëntokësor por asnjëra nuk është realizuar.

“Ka kompani që kanë numër më të madh të autobusëve. Me parkingun te filologjiku duhet ta demantojë Ahmetin, pasi UP ka refuzuar ndërtimin e tij  për shkak të ndryshimit të planit dhe shtimin për afarizëm dhe për këtë është refuzuar”, tha Abrashi.

“Jemi në një situatë ku katër vjet flitet për mobilitet dhe nuk ka mobiliteti. Nuk po shohim rezultate përkundër një zhurme për autobusët. Autobusët tjerë nuk po vijnë për shkak të mos kryerjes së obligimeve nga komuna. Komuna e Prishtinës në vazhdimësi jep subvencione për trafikun publik”, është shprehur Abrashi.

Abrashi i cilëson si ëndrra premtimet e Ahmetit: Katër vite me arsyetime

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi e ka akuzuar Shpend Ahmetin se për katër vite ka pasur vetëm arsyetime.

Ai në debatin në Klan Kosova i ka cilësuar si ëndrra premtimet e Ahmetit për parkingjet.

“4 vite të humbura, mungesë të madhe të projekteve pasi s’ka pasur vullnet, dhe është rritur nepotizmi”, ka thënë Abrashi.

“Sikur për katër vite, edhe sot janë ëndrra sikur kanë qenë këto katër vite pa asgjë konkrete”, shtoi ai.

E Shpend Ahmeti tha se Prishtina nuk duhet ta lejojë veten të kthehet në vitin 2013.