Abrashi: Kosova nuk kërkoi ndihmën e KFOR-it për verifikimin e veteranëve

11.03.2017 11:12:50

Kosova asnjëherë nuk ka kërkuar ndihmën e KFOR-it, por as të një institucioni tjetër relevantë për të zbardhur listat nga koha e demilitarizimit të UÇK-së për të zgjidhur problemin e numrit të madh të veteranëve.

Kështu është shprehur Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, në një intervistë për Ekonomia Online i cili ka thënë se verifikimi i veteranëve ka qenë mandat i Komisionit Qeveritar, andaj nuk kanë kërkuar lista shtesë për këtë çështje.

“jo nuk e kemi kërkuar, sepse procesi është dizajnuar ndryshe ka qenë një Komision Qeveritar i cili është formuar nga pjesëtarët e zonave i cili ka treguar se kush ka qenë ushtarë dhe veteran i luftës çlirimtare në atë periudhë edhe është shkuar përmes një procesi publik ku të gjithë kanë konkurruar. Prandaj ne nuk kemi kërkuar lista shtesë nga cilido subjekt sepse kemi menduar se ka qenë mandat i këtij komisioni, mandat ligjor që ata vet me përcaktua se kush ka qenë ushtarë në atë periudhë në bazë të aplikacioneve që kemi pranuar”, ka deklaruar Abrashi.

Ai ka pohuar se nuk kanë pritur asnjëherë që të ketë një numër kaq të madh të veteranëve.

“Është e vërtetë që nuk e kemi prit, Qeveria në këtë rast sepse Komisioni ka vepruar si i pavarur dhe nuk e ka pritur këtë numër, gjithmonë është fol për një numër më të vogël por ky është numri për të cilin ky Komision Qeveritar që ka pasur përfaqësues nga të gjitha zonat në krye me zotëri Çekun ka dal me raport që kanë qenë 46 mijë“, ka thënë Abrashi.

I pari i MPMP-së ka vazhduar duke treguar se me plotësim ndryshimin e Ligjit për pensionistët kategorizimi do të bëhet në disa shkallë.

“Ushtarët që janë angazhua më herët, dhe ata në fazën e fundit të mobilizimit që të bëhet edhe një seleksionim ekstra nga ata të cilët nuk jetojnë në Kosovë, ose kanë vepruar jashtë por kanë në certifikatë statusin e veteranit. Do të thotë ata nuk preken por vazhdojnë të jenë, por nuk do të kenë benificione sikur ata që janë këtu. Kjo do të ketë një lehtësi në buxhet por tani disa grupe e kanë dërguar ligjin në Gjykatë Kushtetuese dhe ne presim edhe vendimin final të Gjykatës Kushtetuese që të shikojmë se ku duhet të veprojmë tutje”, ka thënë Abrashi.

Ai gjatë kësaj interviste Ekonomia Online, ka treguar edhe për përgatitjet dhe kontributin që jep ministria e Punës por edhe Qeveria e Kosovës, për të rinjtë në tregun e punës dhe për kualifikimet e punëtorëve në orientimin e studentëve në karrierë.

“Ajo çka duhet të dihet është që tregu i punës si në Kosovë por edhe në botë është shumë dinamik, ndryshon në baza vjetore dikund 50 deri në 60 për qind e vendeve të reja të punës që janë krijuar pas vitit 1995 nuk akne ekzistuar para vitit 1995 janë krejt vende të reja të punës që ndërlidhen me digjitalizim me teknologji informative, prandaj të rinjtë tonë duhet ti mësojmë nga shkolla fillore me këto aftësi, me këto mjete që ata të jenë të gatshëm që pas viteve kur dalin në tregun e punës të jenë të gatshëm të punojnë dhe t’u përshtaten kërkesave të tregut të punës si në Kosovë si jashtë”, ka thënë Abrashi.