Abrashi: Me Fondin e Punësimit do t’i përkrahim bizneset zejtare

16.10.2017 13:43:52
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka biseduar të hënën me zejtarët në rrugën “Adrian Krasniqi”, të cilëve u ka prezantuar planin e tij për përkrahje të bizneseve të vogla zejtare.

“Jam i vetëdijshëm që konkurrenca në treg e vështirëson punën e disa zejeve, sidomos atyre të vjetra. Mendoj se zejtarët do të mund të përfitojnë nga Fondi i Punësimit, qoftë nëpërmes hapjes së bizneseve të reja, ose nëpërmes subvencionimit të pagave për punëtorët e rinj nga 6 muaj deri në një vit”, ka thënë Abrashi.

Ai tha se bizneset e reja zejtare përballen me vështirësi në treg, sidomos në vitin e parë, prandaj komuna do të ndajë grante “start up”, për t’ju dalë atyre në ndihmë derisa përfshihen në treg dhe krijojnë klientelën e tyre.

Abrashi tha se komuna do të kujdeset që të gjitha bizneset zejtare të trajtohen me prioritet, ndërsa do të rishikojë edhe taksat komunale për t’ju dalë në ndihmë.

 download