Adem Grabovci kujton kohën kur merrte pjesë në faljen e gjaqeve (Foto)

13.08.2016 19:14:30

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci,  ka kujtuar vitet e 90-ta, kohën kur nisi aksioni për pajtim të gjaqeve në Verrat e LLukës.

Teksa shkruan për mallëngjimin që ka për atë kohë, ai thotë se gabimet i mundësojnë njeriut ta zhvillojë fushën e mendimit.

Lexojeni të plotë shkrimin e Grabovcit:

25 vite nga Aksioni i Pajtimit të Gjaqeve në “Verrat e Llukës”

Sot, duke shpalosur kujtimet e 1 Majit te vitit 1990, nuk mund të mos ndjehem i mallëngjyer dhe njëkohësisht krenar për nismën, pjesëmarrjen dhe përkushtimin në ngjarjet e asaj kohe. Pikërisht në këtë datë, para 24 vjetësh iu qasëm aksionit për pajtimin e gjaqeve në Verrat e Llukës.

Sot rikujtojmë edhe një herë të vërtetën se ne nuk ishim dhe nuk jemi popull që falim gjakun por që falim fajin dhe gabimin që shkakton gjakderdhje, për të mos mbetur peng të fajit dhe gabimit

.

Si mund të ndjehet një zemër që shtërngon atë dorë e cila ia ka vrarë djalin, babain, apo cilindo të dashur? Sa forcë duhet të ketë një shpirt që prek atë dorë e cila me veprimin e saj ka lënë fëmijë jetimë, ka përlotur sytë e atyre femrave që u bënë nëna dhe pastaj jetuan pa i thirrur askush me emrin “Nanë!”. Motivi për liri – ky është shkaku i gjithë lëvizjes së njeriut në botë. Vrojtojmë se liria ka të bëjë me tri përmasa: liri trupore, mendore dhe shpirtërore. Ata që duan të të pushtojnë, të të dobësojnë, të të shfrytëzojnë, gjithnjë kërkojnë plagën tënde të brendshme në mënyrë që lehtësisht të jesh i nënshtruar në fillim fizikisht e pastaj psikikisht dhe shpirtërisht. Përkushtimi ynë më i rëndësishëm ishte mbyllja e kësaj plage në mënyrë që të rrugtojmë të bashkuar.

Falënderoj pafundësisht të gjithë ata që nisën këtë rrugëtim dhe ndihmuan në kurorëzimin e përpjekjeve tona të përbashkëta.

Thuhet urtësisht se i marri as nuk fal as nuk harron, naivi fillimisht fal e pastaj harron ndërsa i mençuri fal por kurrë nuk harron. Urojmë që të rrugtojmë mençurisht duke e mbajtur të freskët kujtesën tonë sepse harresa ia humbet kuptimin faljes. Kudo ku ekziston të menduarit, ekziston edhe të gabuarit por gabimi i mundëson qenies njerëzore të zhvillohet në fushën e mendimit. Duke vazhduar rrugëtimin tonë (në politikë dhe çdo dimension tjetër), na ndihmoni të gabojmë sa më pak dhe njëherazi gabimet t’i kthejmë në suksese që historia jonë të jetë jo vetëm mësim por edhe përmbushje e shpirtit njerëzor.

Me përnderim, i juaji Adem Grabovci