Ademi morri pjesë në mbledhjen joformale të ministrave për çështje evropiane në Bratislavë

25.07.2016 16:32:16

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë përgjegjës për Çështje Evropiane, Arbër Ademi, me ftesë të Presidencës Sllovake, ka marrë pjesë në mbledhjen joformale të ministrave për çështje evropiane, të organizuar në kuadër të Këshillit për çështje të përgjithshme të Bashkimit Evropian, i cili filloi sot në Bratislavë.

Nga Sekretariati për çështje evropiane njoftojnë se në këtë  takim ka marrë pjesë edhe komisari për zgjerim Johannes Hahn dhe të gjithë ministrat për çështje evropiane si dhe përfaqësuesit nga vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë.

Kryesuesi në emër të presidencës Sllovake, Ivan Korçak, ka potencuar se zgjerimi mbetet në fokus të Bashkimit Evropian.

Komisari Hahn ka theksuar se në proces, gjatë javëve të fundit, ka progres serioz në pothuajse të gjitha vendet e rajonit. Për Maqedoninë, Komisari Hahn ka theksuar se lajmet e mira për arritjen e marrëveshjes duhet tani të materializohen përmes implementimit të plotë të marrëveshjes edhe atë pa zgjatje.

Ademi iu është referuar sfidave serioze me të cilat ballafaqohet Bashkimi Evropian në momentin e marrjes së kryesimit nga ana e Sllovakisë, siç janë Brexit, ngjarjet në Turqi, kanosjet terroriste ndaj sigurisë dhe mundësia e përshkallëzimit të krizës së emigrantëve.

Nga pikëpamja e perspektivave evropiane të vendit dhe raportit vjetor i cili duhet të shpallet nga ana e Komisionit Evropian, zëvendëskryeministri Ademi ka theksuar se e një rëndësie tejet të veçantë është që i njëjti të reflektojë zhvillimin pozitiv drejtë zgjidhjes përfundimtare të krizës politike dhe ta kthejë besueshmërinë në proces, para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.

Zëvendëskryeministri Ademi, theksoi se Maqedonia nuk ka alternativë tjetër përveç integrimit të plotë në Bashkimin Evropian, dhe për alternativë tjetër as edhe nuk mendohet, thuhet në njoftim.

Në margjinat e takimi të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të BE, Zëvendëskryeministri Ademi ka realizuar edhe një sërë takimesh joformale me kolegët nga rajoni dhe nga vendet anëtare të BE.