Adnan Rrustemi: Edhe KQZ është kapur nga politika dhe pushteti

19.11.2016 16:42:03

Anëtari i KQZ-së, Adnan Rrustemi, ka reaguar pas vendimit të PZAP-it, i cili ka anuluar decertifikimin që KQZ i ka bërë kandidatit të pavarur, Naim Bazajt.

Sipas tij, vendimi i sotëm i PZAP-së, me të cilin anulohet me të drejt vendimi i kundërligjshëm dhe tërësisht politik i KQZ-së, nxjerr në pah një të vërtetë të hidhur se as KQZ-ja nuk i ka shpëtuar kapjes së institucioneve të pavarura nga politika dhe pushteti.

“Anulimi i vendimit të KQZ-së e zbardh përpjekjen e paligjshme të KQZ-së për të kontrabanduar vendime dhe legjitimuar pazare politike në dëm të integritetit të zgjedhjeve. Me këtë vendim shpërfaqet tendenca që përmes falsifikimit të dokumenteve, rekomandimit mashtrues të ZRPP-së që duke përgjysmuar nene të Ligjit për Zgjedhjet, kishin rekomanduar decertifikimin e kandidatit të pavarur z. Naim Baza. Tashmë, i mbetet KQZ-së që sa më parë të adresojë përgjegjësinë e zyrtarëve përbrenda KQZ-së që e kishin vënë atë në lajthitje, duke e quar në vendimmarrje të kundërligjshme”