Agim Bahtiri padit Avni Kastratin për shpifje (Dokument)

12.11.2016 20:14:24

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka paditur në gjykatë për shpifje kryetarin e degës së PDK-së në Mitrovicë, Avni Kastrati, për të cilin thotë se me qëllim të denigrimit, revanshizmit dhe xhelozisë, ka deklaruar të dhëna joreale dhe të paqëndrueshme.

Si bazë e padisë të siguruar nga Veriu.info është përdorur një video e publikuar në media më datë 22.09.2016, për të cilën kryetari Bahtiri thotë se përmbanë shpifje me qëllim të përbaltjes së emrit të tij.

“Për më tepër, i padituri abuzimin e paditësit e ndërlidh me veprimet e Sami Bilallit, duke bërë shpifje drakonike dhe të marrëzishme për gjoja se në zyrën e paditësit është biseduar vlera mbi 300 mijë euro, të përvetësuara në mënyrë mashtruese, nga personi siç thotë i paditur këshilltar i kryetarit dhe vet paditësi, e që në realitet të gjitha këto veprime të Sami Bilallit me sirianin e ashtuajtur ‘Arnaut’ kanë ndodhur në kohën kur paditësi fare nuk ka qenë në Kosovë por ka jetuar dhe vepruar në shtetet e Evropës perëndimore, ashtu edhe siç dihet se si kryetar i komunës paditësi mandatin e ka marrë duke filluar nga data 24.12.2013”, thuhet në padinë e bërë nga kryetari Bahtiri.

Në padinë e siguruar nga portali Veriu.info sqarohet fakti se Sami Bilalli ka hyrë në aranzhime me sirianin nga viti 2008 deri në vitin 2013. Pra, duke u bazuar në këtë fakt, kryetari Bahtiri thotë se Kastrati ka bërë shpifje për të goditur moralin dhe dinjitetin e tij.

Bahtiri thotë se me anë të këtyre shpifjeve i janë shkaktuar trysni, vuajtje psiqike dhe shpirtërore me ndikim në reputacionin e tij në sferën e aktivitetit shoqëror dhe biznesor.

“Për këto arsye, paditësi në kuptim të nenit 5, paragrafi 5.4, të ligjit civil kundër shpifjes dhe fyerjes parashtron këtë padi për faktin se i padituri me veprimet e veta në mënyrë të rëndë dhe kualifikuese ka cenuar nderin, dinjitetin, prestigjin dhe reputacionin e paditësit, duke i shkaktuar kështu shqetësim psiqik dhe dhembje shpirtërore …”, thuhet ndër të tjera në padinë e sigurur ng portali Veriu.info.

Andaj, duke u bazuar në këto, kryetari Agim Bahtiri ka kërkuar që Gjykata Themelore në Mitrovicës ta detyroj Avni Kastratin që në emër të kompenzimit moral t’i paguaj 50 mijë euro dëmshpërblim.

padi