Agim Veliu shkon në Merdare për të parë si po zbatohen masat parandaluese të koronavirusit

13.03.2020 20:39:49

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Agim Veliu, ka vizituar sot pikën e kalimit kufitar në Merdare, për të parë nga afër zyrtarët policor dhe ekipin mjekësor në këtë pikë, me theks të veçantë për të parë se si po zbatohen masat që janë marrë për zhvillimet e fundit, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, për masat parandaluese të Corona Virus COVID-19.

Gjatë kësaj vizite ministri Veliu ofroi përkrahjen e tij dhe të MPBAP për zyrtarët e zbatimit të ligjit, të cilën janë në vijën e parë të ruajtjes së kufijve. Ai ka kërkuar që të ketë kujdes të shtuar dhe që të zbatohen në përpikëri udhëzimet e dhëna nga organet kompetente për ta tejkaluar këtë gjendje.

Ministri poashtu u premtoi zyrtarëve policor dhe ekipit mjekësor që do të bëhen të gjitha përpjekjet për t’iu siguruar masat e duhura mbrojtëse gjatë kohës që ata janë në shërbim. Me këtë rast ministri Veliu falënderoi në veçanti pjesëtarët e policisë dhe të doganës, që përveç detyrës zyrtare po tregojnë kurajo qytetare në shërbim të vendit.

MPBAP do të vazhdojë të luaj një rol të rëndësishëm me të gjitha mekanizmat e saj të sigurisë, që në këtë situatë që po kalojnë disa vende të botës, ku është përfshirë edhe vendi ynë, të ketë siguri dhe të gjithë këta mekanizma do të jenë në shërbim të nevojave të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.