Diçka e tillë ka ndodhur në Agjencinë e Regjistrimit Civil dhe Angjencinë për Menaxhimin e Emergjencave.
Raste të tilla mjaft të shpeshta ka gjetur Auditori i Përgjithshëm, raporton lajmi.net.
“Në MPB 10 pozita, prej të cilave një pozitë nga viti 2014, katër pozita nga viti 2015 dhe dy nga viti 2016; Në ARC 11 pozita, prej të cilave dy që nga viti 2011, dy nga viti 2015 dhe një nga viti 2016; Në Agjencia e Forenzikës së Kosovës (AFK) një pozitë nga viti 2016; Në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (AME) gjashtë pozita,prej të cilave katër nga viti 2011 dhe dy nga viti 2014; Në PK 15 pozita, prej të cilave, një pozitë nga viti 2014 dhe tri pozita nga viti 2016; Në Agjencinë Kosovare për Siguri Publike (AKSP) dy pozita, njëra që nga viti2013 dhe tjetra nga viti 2016; dhe Në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) një pozitë që nga viti 2016”, ka gjetur Auditori.
E sipas rregulloreve dhe ligjit, një pozitë e tillë nuk mund të mbahet më gjatë se tre muaj.
Parregullsi Auditori ka gjetur edhe në pranimin e mallit dhe procedimin e pagesave.
Parregullsi në pranimin e mallit dhe në procedimin e pagesave E gjetura Në 27 pagesa të testuara që përfshijnë MPB, PK dhe AKSP (20 në lidhje me mallra dhe shërbime dhe 7 me investimet kapitale) kemi gjetur se Urdhërblerja ishte lëshuar pas pranimit të mallit/shërbimit dhe pas pranimit të faturës ndërsa në 20 raste zotimi i mjeteve ishte bërë pas pranimit të faturës. Kjo është në kundërshtim me procedurat e përgjithshme për procedimin e pagesave që përcaktohen me legjislacionin në fuqi. Ndërlidhur me rastet e cekura më lartë, në MPB, në kuadër të kontratës “Fushatë mediale informuese” në vlerë 17,818€ ishte paraparë edhe realizimi i spotit televiziv kundër terrorizimit si dhe blerja e hapësirës reklamuese për shfaqjen e këtij spoti në televizione dhe portale online në vlerën prej 9,794€. Me kontratë ishte paraparë që shërbimi të kryhet brenda 45 ditëve kalendarike nga data e marrjes së porosisë dhe publikimi të përfundoj më së largu deri me 31.12.2016 (data e skadimit të kontratës). Ky shërbim ishte vonuar dhe publikimi ishte bërë në prill të vitit 2017. Urdhërblerja ishte lëshuar pas pranimit të faturës.
Në pagesën “Furnizim me çertifikata për regjistrimin e automjeteve” në vlerë 27,700€ në MPB, kishte vonesë në pranimin e mallit për 56 ditë. Menaxheri i kontratës kishte shtyrë afatin e liferimit për 30 ditë, me arsyetimin se furnizuesi ka pasur avari në depo. Mirëpo sipas kushteve të veçanta të kontratës Furnizuesi mund të kërkoj shtyrje të afatit të liferimit vetëm nëse realizimi i kontratës vonohet për shkaqe të cilat nuk janë gabim i Furnizuesit. Avaria në depo ishte shkaktuar nga gabimi i furnizuesit pasiqë depo nuk i përmbushte kushtet për ruajtjen e mallit. Edhe përkundër këtij fakti MPB nuk kishte zbatuar ndalesën/penalltinë për vonesë në vlerë prej 900€. Në pagesën “Furnizim me material për zyre“ në vlerë 57,500€, në MPB edhe pse pranimi i mallit ishte bërë në kuadër të afateve të kontraktuara, procedimi i urdhërblerjes ishte bërë pas pranimit të faturës dhe pas skadimit të kontratës. Kontrata kishte skaduar me 12.11.2017, fatura ishte pranuar me 20.12.2017 ndërsa urdhërblerja ishte lëshuar me 21.12.2017
Menaxhimi i flotës së automjeteve
E gjetura Menaxhimi me flotën e automjeteve të PK–së, ku bëhet edhe servisimi dhe riparimi i automjeteve, vazhdon të jetë i dobët. Vonesat në riparimin e automjeteve ishin të stërzgjatura ku një numër i automjeteve ishte në pritje për servisim nga viti 2016. Arsyet e pritjeve kaq të gjata të automjeteve për riparim sipas zyrtarëve të flotës ishin: lloje të ndryshme të automjeteve dhe defekte të natyrave të ndryshme (për të cilat kërkohet njohuri adekuate), numër i vogël i personelit, mungesa e pjesëve rezervë si dhe vjetërsia e automjeteve. Numri i automjetet që presin për riparim përfshinte 32 automjete nga viti 2016 dhe 77 automjete në vitin 2017. Në lidhje me ketë çështje ne kemi rekomanduar edhe viteve të kaluar por nuk janë ndërmarrë masa për përmirësimin e gjendjes
Nënvlerësim i pasurisë kapitale
E gjetura Policia e Kosovës ka blerë pajisje të Teknologjisë Informative në vlerë prej 7,928€, por prej kësaj shume, artikujt në vlerë 2,830€ nuk ishin regjistruar në regjistrat e pasurisë. Një artikull nga kjo blerje i takon kategorisë së pasurisë kapitale me vlerë prej 1,220€, ndërsa dy artikuj pasurisë nën 1,000€ me vlerë 1,610€. Poashtu, MPB nuk i kishte regjistruar si pasuri nën 1,000€ pesë klima, në vlerë prej 1,044€ të cilat ishin blerë për nevojat e AME-së. Për më tepër, Ministria në kuadër të projekteve kapitale kishte realizuar kontratën për krijimin e “Sistemit të unifikuar për raportime statistikore”, vlera e të cilës ishte 41,595€. Ky sistem nuk ishte regjistruar në regjistrin e pasurive mbi 1,000€ si pasuri kapitale, po ishte ndarë në bazë të artikujve ku një pjesë e tyre në vlerë prej 10,679€ ishte regjistruar si pasuri nën 1,000€, artikuj në vlerë 2,594€ ishin regjistruar si pasuri kapitale ndërsa shërbimi prej 24,000€ nuk ishte regjistruar fare.
Ushtrimi i pozitave të punës në mospërputhje me gradat e fituara
E gjetura Për rregullimin e marrëdhënies së punës në PK, gjatë vitit 2017 ishte aplikuar UA Nr. 07/2012 dhe 03/2017, të cilat më pas janë shfuqizuar me hyrjen në fuqi të UA Nr. 04/2017 në dhjetor të vitit 2017. Ky udhëzues, sikurse edhe udhëzuesit paraprak, parasheh që me rastin e sistemimit të punonjësve apo caktimit në pozita të lira të punës duhet të përfillen kushtet dhe kriteret që parashihen për ato pozita, përfshirë kualifikimin, gradën, përvojën etj. Në PK, 375 të punësuar të stafit policor vazhdojnë të ushtrojnë pozita të punës në mospërputhje me gradat e fituara. Me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm kompensimi për të punësuarit që ushtrojnë pozita më të larta, bëhet në bazë të pozitës dhe jo në bazë të gradës që aktualisht e ka arritur i punësuari. Kjo dukuri është në kundërshtim me sistemin e pagave të PK-së, ku koeficienti i pagës bazë për stafin policor përcaktohet në varësi të gradës dhe jo pozitës së punës. Lidhur me këtë çështje ne kemi rekomanduar edhe në vitet paraprake. Përkundër kësaj gjatë vitit 2017 kishte rritje të rasteve të tilla.






































