AGK thirrje gazetarëve: Paraqitni rastet e pengimit të punës tuaj si gazetarë

AGK thirrje gazetarëve: Paraqitni rastet e pengimit të punës tuaj si gazetarë

22.03.2017 13:43:52

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë gazetarëve që kanë qenë viktima të rasteve të kanosjes apo veprave tjera penale lidhur me punën e tyre, t’i paraqesin tek AGK përmes emalit duke shkruar të dhënat personale, datën dhe vendin kur ka ndodhur rasti.

AGK ka njoftuar se pas mbledhjes së të gjitha të dhënave do t’i dorëzojë ato në zyrën e koordinatorit për rastet e gazetarëve Besim Kelmendi për të parë pastaj se çfarë faze gjenden ato.

Njoftimi i plotë i AGK-së:

Të nderuar anëtarë/e të AGK-së
Pas vendimit të Kryeprokurorit të Shtetit, Nr 88/2017, të datës 09.03.2017, për rastet e kanosjeve
apo veprave të tjera penale që kryhen ndaj gazetarëve në lidhje me punën e tyre si gazetarë,
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës fton të gjithë anëtarët që kanë qenë viktima të këtyre veprave
penale dhe që kanë paraqitur rastet e tyre në institucionet relevante që duke filluar nga data
22.03.2017 deri me 07.04.2017 të dërgojnë në e-mail adresën asociacioniigazetareve@gmail.com
të dhënat në vijim:
1. Emri dhe mbiemri
2. Numri i rastit
3. Data dhe vendi kur ka ndodhur rasti
4. A është hapur rasti, nëse po ku
Pas mbledhjes së të gjitha të dhënave, AGK-ja do t’i dorëzojë ato në zyrën e koordinatorit për rastet
e gazetarëve z.Besim Kelmendi për të parë pastaj se çfarë faze gjenden ato. Në këtë formë do të
tentohet që të arrihet evitimi i tejzgjatjes së proceseve si dhe rritja e efikasitetit në ndëshkimin e
personave përgjegjës për rastet e kanosjeve apo veprave të tjera penale që kryhen ndaj
gazetarëve.
Ashtu siç është bërë publike ditë më parë, me vendimin Nr. 88/2017, Kryeprokurori i Shtetit ka
caktuar një koordinator nga zyra e tij, si dhe ka urdhëruar prokuroritë themelore që të emërojnë
nga një prokuror që do të merret me rastet kur gazetarët paraqiten si të dëmtuar.
Po ashtu sipas këtij vendimi, prokurori është i obliguar që të trajtoj me prioritet rastet e gazetarëve,
të informojë koordinatorin e emëruar si dhe të mbajë të informuar atë për të gjitha veprimet duke
përfshirë: ngritjen e aktakuzës, pushimin e hetimeve apo hedhjen e kallëzimit penal apo ndonjë
veprim tjetër eventual si dhe për aktgjykimet eventuale të gjykatave.
Me respekt,
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës