Ahmet Isufi: Haradinaj ka siguruar numrat për Qeveri – jemi të hapur edhe për parti tjera politike (Video)

14.07.2017 16:08:16

Nënkryetari i AAK-së, njëherit deputeti i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Ahmet Isufi, në një intervistë dhënë për Telegrafin me gazetar Muhamet Hajrullahun, ka thënë se janë të hapur për koalicione me parti tjera për formimin e një qeverie kredibile.

Sipas tij i nominurari i PAN-it për kryeministër Ramush Haradinaj, ka siguruar numrat për të qeverisur me Qeverinë ekzekutivin e ardhshëm.

Isufi ka deklaruar se mandatarit për kryeministër, Ramush Haradinaj, i është dhënë e drejta e plotë që të negocioj për krijimin e koalicione me parti tjera shqiptare.

“Ju kemi dërguar ftesë partive politike për konsultime rreth formimit të qeverisë. Kemi ofertë të hapur për ta. Në rastin e parë kanë refuzuar publikisht dy partitë shqiptare. Haradinajt i është dhënë autorizim i plotë që të komunikoj me parti tjera politike. Ftesat janë, gatishmëria varet nga dy subjektet politike shqiptare. Do të ishte mirë që të kemi një qeveri me baze të gjerë dhe të ketë stabilitet”, ka thënë Isufi.

Ai ndër të tjera tha se janë të interesuar që sa më shpejt ta formojnë Qeverinë e Republikës së Kosovës, pasi është në interes të qytetarëve dhe vet shtetit.