Ahmeti: I fus duart në zjarr për drejtorët e Vetëvendosjes (Video)

31.10.2017 00:09:30

Kryetari i deritanishëm i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, njëherësh kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Komunës së Prishtinës ka thënë se ai mund të garantojë se drejtorët e Vetëvendosjes në këtë komunë nuk janë marrë me korrupsion.

“4500 punëtorë në arsim, rreth 600-700 në shëndetësi dhe nja 500 në komunë. Rreth 6000 punëtorë, unë nuk i shti duart në zjarr për 6000 punëtorë”.

“Por për qeverisjen tonë, unë, për Dardanin (Sejdiun), për drejtorët tonë i shti duart në zjarr. Sepse edhe unë, edhe qytetarët, por edhe subjektet tjera politike e kemi ruajt paranë publike ma shumë se paratë tona. GPS kemi vendos në çdo veturë, në momentin që del prej Komunës, vjen sinjali se vetura ka dalë prej komunës”.

“Çdo shpenzim që futet tash në telefona, janë në shpenzimet e Komunës. Një vendim që e nënshkruaj në ora 9, në ora 11 e ki në webfaqe. Nuk ka darka e dreka zyrtare, kur unë e Dardani i kemi ngrënë dhe ja kemi nënshkruar komunës, nuk ka të tilla”, ka thënë ndër tjerash Shpend Ahmeti në Debat+ të RTV Dukagjinit, ku përveç tij, pjesëmarrës janë edhe Dardan Sejdiu, si dhe gazetari Parim Olluri, si dhe analisti Imer Mushkolaj. /Telegrafi/