Ahmeti: Projekti “Bllok pas Blloku” përfundon brenda 90 ditë pune

15.04.2017 12:54:19

Komuna e Prishtinës dje ka nisur implementimin e projektit “Bllok pas Blloku” në lagjen Bregu i Diellit. Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti një ditë pas fillimit të këtyre punimeve ka folur për rëndësinë e tij.

Ai ka thënë se ky projekt do të përmirësojë cilësinë e jetës urbane dhe përmirësimin e hapësirës publike.

Sipas Ahmetit ky projekt që është i financuar në bashkëpunim me UNHABITAT-in, ka vlerën prej 166.274.11€, ndërkaq plani dinamik parasheh që projekti të kryhet brenda 90 ditë pune.

“Ka filluar implementim i projektit “Bllok pas Blloku” në lagjen Bregu i Diellit. Ky projekt ka për qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës urbane dhe përmirësimin e hapësirës publike përmes krijimit të një vendi të qëndrueshëm social dhe miqësor ndaj mjedisit, krijimin e një hapësire publike me shumë funksione që do të ndërthur hapësira për socializim (takime, tubime, shëtitje, pushim etj), rekreacion pasiv dhe aktiv (jogging, vrapim, patinazh, lojëra, ushtrime, etj), përdorimin e gjelbërimit të formave të ndryshme (të ulëta, të mesme dhe të larta) në favor të ofrimit të një mjedisi të gjelbëruar dhe të rehatshëm”, ka shkruar Ahmeti në facebook.