Ahmeti: Rastet e reja me COVID-19 në Prishtinë erdhën nga një person

08.06.2020 14:37:23

Në Prishtinë janë 31 raste aktive me koronavirus.

Gjatë ditës së djeshme Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) bëri të ditur se në mesin e 40 të infektuarve, 10 janë nga Komunë e Prishtinës.

Gjatë ditës së sotme, i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka dhënë detaje shtesë në lidhje me të infektuarit.

Ahmeti fillimisht tregoi se në Prishtinë vazhdojnë të jenë edhe 31 raste aktive me koronavirus.

“Së pari dua t’ju tregoj deri më sot i kemi 106 raste që nga fillimi i pandemisë dhe 2 fatalitete dhe momentalisht i kemi 31 aktivë”, tregoi Ahmeti, raporton lajmi.net.

Sa i përket 10 të infektuarve gjatë ditës së djeshme, Ahmeti ka bërë të ditur se që të gjithë janë kontakte direkte me një person të vetëm, i cili nuk e ka ditur që e ka koronavirusin deri të premten dhe i ka dërguar fëmijët në çerdhe.

Tutje Ahmeti ka treguar se i njëjti person punon në një organizatë dhe për këtë arsye ai ka pasur kontakte të shumta dhe se janë duke u bërë gjurmimet e kontakteve.

“Kur e ka marrë vendimin MSH-ja që me u hap me fillu faza e tretë kemi pritur që të ketë edhe rritje të numrave dhe kjo po ndodhë. Ideja është që këtë ta kemi në mënyrë të kontrolluar me idenë që të mos kthehemi prapa më herët. Ditëve të fundit po i shohim pasojat e bajramit dhe lehtësimit të masave. Këto raste kanë të bëjnë vetëm me një person. Të gjitha 10 rastet kanë të bëjnë me me të njëjtin person, i cili punon në një organizatë dhe ka pasur hsumë kontakte, ka të bëj edhe me dy fëmijët e tij. Dhe do të bëjmë edhe testet e fëmijëve të atyre çerdheve. Të gjitha këto sot jemi duke punuar se ku janë kontaktet dhe t’i gjurmojmë ato raste. Mbrëmë kemi vendosur që t’i mbyllim ato tri çerdhe dhe janë dezinfektuar dhe edukatoret”, deklaroi Ahmeti, raporton lajmi.net.

“Nuk dua të stigmatizojmë një prind, se a ka pasur apo jo virus sepse prindi të premten i ka dërguar fëmijët në çerdhe. Të gjithë ju që keni pasur kontakte dhe ju ka thirrë IKSHPK-ja duhet që të vetizoloheni pavarësisht se e keni apo jo virusin. Sot ka ndodh në një QMF që një pacientë ka rezultuar pozotivë dhe ai ka qenë asimptomatik dhe insiston që nuk e ka virusin”, theksoi Ahmeti.

I pari i Prishtinës po ashtu ka bërë të ditur se çerdha “Xixëllonjat”, është mbyllur pasi që bashkëshorti i njërës prej edukatoreve ka rezultuar pozitiv me koronavirus.

“Çerdhen “Xixëllonja”, e kemi mbyllur sepse burri i një edukatores ka rezultuar pozitivë. Dhe presim rezultatin e edukatores dhe nëse del negativë ajo do të shkojë në vetizolim për 14 ditë”, deklaroi Ahmeti, i cili shtoi se nuk do të hezitojnë në mbylljen e çerdheve dhe lokaleve të gjithë ata që nuk respektojnë masat e IKSHPK-së apo që ka ndonjë të infektuar ose që ka pasur dikush kontakt me ndonjë të infektuar.

Ai po ashtu kërkoi nga gastronomët që të respektojnë të gjitha masat që janë dhënë nga IKSHPK-ja, pasi që me lëhtësimin e masave edhe qytetarët janë relaksuar.

“Rregullat që janë vënë nga IKSHPK-ja nuk janë duke u respektuar në masë të madhe përfshirë edhe lokalet e gastronomisë të cilët edhe kanë nënshkruar marrëveshjen me IKSHPK-në për koronavirus”, tha Ahmeti, raporton më tutje lajmi.net.

Sipas Ahemtit, duhet t’i përmbahemi rregullave dhe këshillave, pasi që nëse ndodhë e kundërta, mund të rikthehen masat siç ka ndodhur në Maqedoninë e Veriut.

“Ideja është që të mos na ndodhë si në Maqedoninë e Veritu që të kthejmë masat siç i kemi bërë më herët”, deklaroi ai.

Sa i përket çerdheve, ai ka thënë se këto tri çerdhe do të jenë të mbyllura për dy javë, pavarësisht rezultatit të testit që do të jetë.

“Në momentin që ne i kemi dezinfektuar klasat, pa marrë parasysh testimeve ata fëmijë nuk do të shkojnë në çerdhe dhe ato klasë do të mbyllen për dy javë pa marrë parasysh a janë pozitive apo negative dhe edukatoret nuk do të shkojnë në punë për dy javë. Ne presin që të dalin negativë.  Në çerdhen Xixëllonja presim rezultatin e testit të edukatores që bashkëshortin e ka me koronavirus”, deklaroi Ahmeti. /Lajmi.net/