Ahmeti tha se Sveçla e gjykoi për kravatën, përgjigjet ky i fundit: Shpendit t’i vijë marre për disa gjëra tjera

03.09.2019 22:23:30

Anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh ish deputet i kësaj partie, Xhelal Sveçla ka mohuar të ketë debatuar me Shpend Ahmetin për kravata.

Shpend Ahmeti, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, kishte thënë se kur ka shkuar në VV, Xhelal Sveçla, i ka mbajtur ligjëratë mbi arsyet se pse nuk duhet mbajtur kravatë, pasi që ajo konsiderohej simbol i neoliberalizmit e i kapitalizmit të egër.

“T’ju them të vërtetën më erdhi marre pse e kisha kravatën e ngjitur”, kishte thënë Ahmeti.

Mirëpo, Xhelal Sveçla thotë se ajo që ka thënë Shpendi nuk qëndron dhe sipas tij ky i fundit mund të ketë ngatërruar personin.

“Shpendi ose e ka huqur personin ose nuk e di…Unë edhe para Shpendit kam mbajtur kravatë. Pra ose ka ngatërruar personin ose ai po gënjen për këtë punë…Kravata nuk ishte çështje për mua… Atij nuk është dashur t’i vijë marre për kravatë, por është dashur t’i vijë marre për disa gjëra tjera”, tha Sveçla në Debat Plus.