Ajri i ndotur kërcënim serioz për shëndetin, mund të shkaktojë edhe kancerin

14.12.2016 19:36:07

Javëve të fundit cilësia e ajrit në Kosovë përkatësisht në Prishtinë ka qenë në përmasa të mëdha të rrezikshmërisë. Matjet që po bëhen çdo ditë nga Qendra për matjen e cilësisë së ajrit, po tregojnë vlera të larta të rrezikshmërisë së ajrit.

Sipas disa studimeve që janë bërë, simptomat që përjetojnë personat nga ndotja e ajrit janë sytë e përlotur, kollitja, vështirësi në frymëmarrje etj, transmeton Telegrafi.

Personat më të ndjeshëm ndaj problemeve që shkaktohen nga ndotja e ajrit janë: personat me sëmundje të zemrës, personat me sëmundje të mushkërive, gratë shtatzëna, punëtorët në natyrë, fëmijët nën moshën 14 vjeç si dhe atletët të cilët ushtrojnë në natyrë.

E duke e pasur parasysh që në vendin tonë dita ditës nivelet e ndotjes së ajrit po rriten, ato mund të shkaktojnë probleme të menjëhershme shëndetësore, e po ashtu ekspozimi i afatgjatë ndaj ajrit të ndotur mund të ketë efekte shëndetësore të përhershme duke shkaktuar kështu:
plakjen e mushkërive, humbjen e kapacitetit të mushkërive, zvogëlim të funksionit të mushkërive, zhvillimin e sëmundjeve të tilla si astma, bronkit e madje gjasat janë që të shkaktojë edhe kancerin.

Po ashtu edhe Grimcat (PM) të cilat janë një përzierje komplekse që mund të përmbajë tym, metale, nitrate, sulfate, pluhur etj, konsiderohet si ndotës specifik i ajrit.

Madhësia e këtyre grimcave është e lidhur direkt me potencialin e tyre për të shkaktuar probleme shëndetësore. Grimcat e vogla (të njohura si PM 2.5 ose substanca të caktuara) paraqesin probleme më të mëdha , sepse ato mund t’i thithim thellë në mushkëritë tona e disa prej tyre mund t’i marrim edhe në gjak. Ekspozimi ndaj grimcave të tilla mund të ndikojë në mushkëri dhe në zemër.

Mirëpo edhe në qoftë se ju jeni të shëndetshëm, ju mund të përjetoni simptoma të përkohshme të tilla si: acarim i syve, hundës dhe fytit, kollitje si dhe ngushtime në gjoks.

Vlerësohet se ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Kosovë janë makinat e vjetra dhe kompanitë e mëdha të industrisë së rëndë.

Ndërkaq nga matja e fundit e cila është bërë sot në orën 16:00 niveli i rrezikshmërisë së ajrit sot në Prishtinë ka shkuar në 149 ppm (grimca në milion).