AKR e gatshme për zgjedhje të reja, thonë se nuk kanë vija të kuqe për asnjë parti politike

22.12.2020 13:40:56

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, edhe Aleanca Kosova e Re (AKR), është e gatshme të marr pjesë në zgjedhjet e reja në vend.

Kështu tha në një prononcim Naim Murseli, këshilltari i kryetarit të AKR-së Behgjet Pacollit.

Murseli tha se AKR-ja nuk ka vija të kuqe për asnjë parti politike për ndonjë koalicion parazgjedhor.

“Si çdo herë edhe kësaj radhe AKR nuk ka vija te kuqe për asnjë parti politike”, ka thënë ai.

I pyetur se a ka AKR-ja kandidat për kryeministër, Murseli u shpreh se: “Me rëndësi është të dëgjohet zëri i qytetarëve dhe të respektohet vullneti i popullit”.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur të pavlefshëm votimin e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti dhe se konstatoi se presidenti i Republikës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Më vendimin e Gjykatës thuhet se asnjë person që është i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, “nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.

Gjykata Kushtetuese thotë se Qeveria Hoti do të mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e një ekzekutivi të ri.