AKR ende pa kandidat për Prishtinën, a është opsion Behgjet Pacolli?

25.08.2017 17:01:40

Garës për ta fituar Prishtinën në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, me ambicie të mëdha do t’i hyjë edhe Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit.

Kjo parti edhe pse ende nuk e ka bërë të ditur emrin e kandidatit për kryetarë të Prishtinës, thotë se janë duke e kërkuar një kandidat që do të fitojë në kryeqytet qysh në raundin e parë.

Vesel Makolli sekretar i AKR-së, për lajmi.net nuk e ka mohuar e as pohuar mundësinë që kreu i kësaj partie Behegjet Pacolli të jetë në garë për kryeqytetin.

Ai kur është pyetur nëse Pacolli do të kandidojë për kryetar të Prishtinës, ka thënë se janë në kërkim të një kandidati që Prishtinën e fiton në raundin e parë.

“Ne do të tentojmë që Prishtinën më marr pa balotazh, do të qesim një kandidat që e fiton Prishtinën pa balotazh, nuk mund të jap emra. Nesër më së largu do të merret vesh”, ka thënë Makolli për lajmi.net.

Afati për dërgimin e listave përfundimtare në KQZ është deri nesër, ku edhe do të dihet se kush nga AKR do të jetë kandidati për kryetar të Prishtinës.

Gara për Prishtinën do të ketë vëmendjen më të madhe gjatë zgjedhjeve lokale, jo vetëm për faktin se është kryeqyteti, por edhe për shkak të kandidatëve në garë.

Vetëvendosje synon ta marr edhe një mandate me kryetarin aktual Shpend Ahmeti, LDK synon ta rikthejë ‘kalanë’ e saj me ish-ministrin Arban Abrashi, PDK garon me Lirak Çelaj, kryetar i PDK-së në Prishtinë, AAK me ish-gazetarin Arbër Vllahiu, kurse Nisma me anëtarin e kryesisë, Shyqyri Bytyqi.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 22 tetor.