Aksident i rëndë në Berat, makina me tre të rinj përfundon në kanal

15.06.2020 20:00:34

Shpejtësia e madhe për pak sa si ka marrë jetën tre të rinjve sot në Berat. Duke udhëtuar me shpejtësi të madhe në mjetin tip “Toyota”, me targa AA 492 UM, drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin në dalje të qytetit dhe ka përfunduar në kanal.

Dyshohet se garat e shpejtësisë mes njëri-tjetrit që bëjnë të rinjtë në këtë aks, kanë bërë që makina të shkasë dhe të përfundojë në kanalin në anë të rrugës. Edhe pse përplasja e mjetit siç mund të shihet edhe nga pamjet filmike, ka qenë e fortë, tre të rinjtë që ndodheshin brenda mjetit kanë shpëtuar pa u lënduar.

Në vendngjarje kanë shkuar ekspertë të policisë rrugore, të cilët po kryejnë ekspertizën e vendit të aksidentit që fatmirësisht nuk shënoi as të lënduar mes kalimtarëve në këtë lagje.

Shpejtësia e madhe me të cilën ecin drejtuesit e mjeteve, kryesisht të rinjtë, në rrugët e qytetit është kthyer në një shqetësim serioz për qytetarët beratas që lëvizin si këmbësorë në rrugët e qytetit.