Aksident i rëndë në punë, 38-vjeçarit shqiptar në Itali i bie sipër pllaka e mermerit

26.09.2017 12:46:41

Një punëtor shqiptar në Castelmella, Itali, ka pësuar një aksident të rëndë, teksa punonte në brendësi të një banese private. Një pllakë e rëndë mermeri i ka rënë përsipër, duke i shkaktuar dëmtime të shumta në kokë e krahë. Për fat të mirë, nuk e humbi vetëdijen dhe nuk është në rrezik jete.

Shqiptari, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, është 38 vjeç dhe rezident në Montichiari, dhe po punonte me montimin e disa mobiljeve në banesë. Vetëm pak orë më parë, një tjetër firmë kishte montuar pllakat e mermerit.

Ajo që i ra sipër me sa duket ka qenë e montuar keq. Karabinierët dhe autoritetet e ndërtimeve po punojnë për zbardhjen e dinamikës, duke marrë në pyetje të zotët e shtëpisë.

Punëtoi 38-vjeçar mbërriti në spital gjysmë ore më pas, në gjendje të rëndë, për shkak të plagëve të marra, por pa qenë kurrë në rrezik jete. Ai është titullar i një firme të vogël, bashkë me vëllanë e tij.