Aksident tragjik në Gjakovë, autobusi shkel biçiklistin

14.11.2016 22:12:33

Një 73 vjeçar, me inicialet H.R., ka humbur jetën në mënyrë tragjike, pasi që është shtypur nga një autobus në orët e mbrëmjes në Gjakovë.

Autobusi i kompanisë “H. T” e ka shtypur 73 vjeçarin në rrugën “Sadik Stavileci” në Gjakovë deri sa ai ishte duke lëvizur me biçikletën e tij në anën e kundërt të rrugës.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës në Rajonin e Gjakovës, Lirije Podrimja ka konfirmuar për “Gazeta Blic” vdekjen e H.R.

Sipas Podrimjës, i moshuari ka lëvizur me biçikletë në anën e gabuar dhe si pasojë e kësaj vozitësi i autobusit e ka goditur atë duke e lënë të vdekur në vend.

“Policia ka marrë një informatë për këtë aksident në orën 18:35 dhe ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Presoni i vdekur është H.R (1943). Ai ka qenë duke lëvizur me biçikletë në kahun e kundërt të rrugës dhe jo në anën e duhur dhe si pasojë e kësaj, vozitësi i autobusit e ka goditur atë pa e vërejtur”, ka thënë Podrimja për “Gazetën Blic”.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, bazuar në raportin e Policisë kanë ndodhur 15 aksidente, prej tyre 4 me të lënduar.

Ndryshe, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë ngasësit e automjeteve që të respektojnë dispozitat ligjore të lëmit të komunikacionit, të respektojnë shenjat e trafikut, t’iu përshtaten shpejtësisë së lejuar me shenjat e trafikut.