Aksioni i PD me protesta dhe “Tahirin”, Basha: Priten skandale të mëdha në maj

30.04.2018 15:23:46

Një ditë pasi Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike miratoi statutin e ri mes debateve dhe përplasjes Selami-Basha, në selinë blu është zhvilluar mbledhja e radhës e grupit parlamentar, ku është diskutuar për qëndrimin që do të mbahet në raport me qeverinë në seancën e së enjtes.

Lulzim Basha iu tha deputetëve se në maj priten shpërthime skandalesh të mëdha. Kreu demokrat ka thënë se gjëma e katër viteve të qeverisjes Rama nuk mund të shkojë më tej pa shpërthyer dhe të gjitha të dhënat janë se kjo do të ndodhë brenda pak javëve.

Basha ka bërë thirrje për vazhdimin e protestave dhe ofrimin e mbështetjes së opozitës për qytetarët në të gjithë vendin. Deputetëve u është kërkuar që çështja “Tahiri” të mbetet në artikulimin politik, ndërsa në seancë parlamentare do të ketë një qëndrim të plotë.

PD do vijojë të mbajë një raport të kushtëzuar me komisionet parlamentare, ndërsa seancat parlamentare sipas Bashës nuk do të jenë normale, në një kohë që katër nga protestuesit kuksianë në “Rrugën e Kombit” mbeten ende pas hekurave.

Gjithashtu mësohet se brenda javës do të dalë udhëzimi për procesin zgjedhor që PD do të mbajë në seksione dhe grup seksione. Ky proces do të zhvillohet në të gjitha degët e PD.