Aktakuzë ndaj një personi në Gjilan, e shiti foshnjën e porsalindur

24.04.2019 14:23:07
Departamenti për Krime të Rënda, në Prokurorinë Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve R.F. dhe R.A., për shkak të veprave penale ‘’Trafikimi me njerëz’’ dhe ‘’Marrja apo mbajtja e kundërligjshme e fëmijës’’.

Sipas aktakuzës, i pandehuri R.F., më 8 maj 2003, në Gjilan, me dashje dhe me qëllim të përfitimit pasuror, ka trafikuar fëmiun e porsalindur të të dëmtuarës N.A., ashtu që pas lindjes e ka detyruar të njëjtën që pa pëlqimin e saj, në oborrin e Spitalit Regjional në Gjilan, t’ia japë fëmiun të pandehurës R.A.

Në këtë mënyrë, i pandehuri ka kryer veprën penale ‘’Trafikim me njerëz’’ nga neni 171 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ndërsa e pandehura R.A., në mënyrë të kundërligjshme ka marrë dhe ka mbajtur fëmiun e të dëmtuarës N.A., pa përfillur procedurat lidhur me marrjen dhe mbajtjen e fëmiut nga institucioni përkatës.

Me këto veprime e pandehura ka kryer veprën penale ‘’Marrja e kundërligjshme e fëmijës’’ nga neni 249 paragrafi 1 të KPRK-së.