Akuzoi Kumbaron, shkarkohet drejtori i Muzeut Kombëtar

07.02.2017 19:46:27

Në fund të mandatit të saj si ministre e Kulturës, Mirela Kumbaro ka shkarkuar nga detyra e Drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar, Melsi Labin vetëm disa ditë pas akuzave publike që ai bëri në media ndaj mungesës së mbështetjes që Ministria ka dhënë për Muzeun.

Ky vendim duket si një “tregim vendi” nga ana e Kumbaros, ndaj një të “pabinduri” në fund të mandatit të saj si Ministre e Kulturës. Disa ditë më parë Labi u shpreh se “Buxheti për vitin 2017 nuk ka dalë ende. Por pritet të jetë 13 apo 14 milionë lekë të reja. Ndërkohë nevojat e menjëhershme të Muzeut janë për 70 milionë lekë të reja minimale. Na kanë future në një betejë për mbijetesë. Ndërkohë harxhohen miliona euro në hapjen e muzeve si Bunkart etj ku privati I merr lekët dhe I fut në xhep. Ndërsa këto pasuri kombëtare që kemi nuk I ruajmë.

Është detyrë e Ministres ta mbajë Muzeun pasi janë lekët e taksapaguesve”. Nuk është hera e parë që Labi është shprehur me rezerva ndaj mbështetjes që shteti ka dhënë ndaj institucionit të Muzeut Kombëtar. Labi u vendos në krye të Muzeut Historik Kombëtar në vitin 2013. Melsi Labi lindi në Gjirokastër, më 11 Mars 1978. Është diplomuar në degën e Historisë, për t’u specializuar më pas për Arkeologji në Britaninë e Madhe. Ka marrë pjesë në disa ekspedita gërmimesh arkeologjike në Butrint, Durrës, Finiq, Lezhë, Sarandë dhe Tiranë. Në vitin 2008 ai ka qenë drejtor i qendrës kulturore “Aleksandër Moisiu” në qytetin e Durrësit. Vitet e fundit Melsi Labi ka mbajtur funksionin e drejtorit të Përgjithshëm të Politikave për Artin në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.