Albulena Haxhiu : Nuk shkojmë nesër në seancë për të dëgjuar aktgjykimin politik

03.01.2018 00:06:03

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka njoftuar se nesër shpallet aktgjykimi ndaj katër deputetëve të VV-së, që, sipas saj,  me veprimet e tyre politike mbrojtën territorin dhe Republikën.

Haxhiu përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Ne, deputetët e akuzuar, nesër nuk do të jemi në seancë për të dëgjuar një aktgjykim politik!”.

Postimi i plot i deputetes Haxhiu:

“Nesër në orën 13:00, shpallet aktgjykimi kundrejt ne deputetëve që me veprimet tona politike mbrojtëm territorin dhe Republikën. Mbi të gjitha ne vetëm sa e kemi mbrojtur zërin e popullit në Kuvend, zërin e atij populli që na dha mbështetjen.

Për dy vite radhazi sistemi i drejtësisë u vu në shërbim të klaneve, herë të Prontos e herë të Mustafës. Ndiqeshin jo kriminelët e të korruptuarit, por deputetët e aktivistët që me veprimet e tyre shpëtuan Kosovën nga projektet e dëmshme.

Asnjë prej pretendimeve që i ka ngritur prokurori, nuk janë të mbështetura me prova e fakte! Gazi lotësjellës nuk është armë. Në fakt ishte mjeti i vetëm e i domosdoshëm për ta shpëtuar Kosovën nga coptimi dhe bosnjëzimi.

Ne, deputetët e akuzuar, nesër nuk do të jemi në seancë për të dëgjuar një aktgjykim politik! Sigurisht që nesër do duhej të nxirrej aktgjykim lirues dhe jo fajësues por duke e parë kapjen e këtij sistemi të drejtësisë, kjo duket e pamundur. Por pavarësisht kësaj edhe gjyqtari Kalludra por edhe të tjerët që e kanë bishtin e zënë me derë, e kanë të qartë se pavarësisht dënimeve që mund të marrim, do të veprojmë në mbrojtje të vendit gjithnjë.”, ka shkruar Haxhiu.