Albulena Haxhiu: Sistemi i drejtësisë ka marrë rolin e mbrojtësve të krimit

22.10.2016 19:08:33

Lëvizja Vetëvendosje mbajti sot konferencë për media, në lidhje me vendimet e fundit të sistemit të drejtësisë në Kosovës, të cilat deputetja Albulena Haxhiu dhe anëtari i Kryesisë, Sami Kurteshi, i quajtën skandaloze dhe të padrejta.

Haxhiu përmendi fillimisht aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për mbylljen e seancave ndaj ish-kreut të Gjykatës së Apelit, Sali Mekajt, që sipas Haxhiut nga afera “Pronto” del të jetë njeri i këtij klani brenda drejtësisë.

Ajo theksoi edhe rastin e Nuhi Ukës, të cilin Gjykata Themelore e Prizrenit e shpalli të pafajshëm, e për këtë ajo tha se sistemi i drejtësisë ka marrë rolin e mbrojtësve të krimit.

Kurteshi tha se me rastin Uka kemi një dëm që është konstatuar nga vetë gjykata dhe ekspertët e kësaj fushe, në mbi 60 milionë euro. Ndaj shprehet se nuk është fare e rastësishme që institucioni i gjyqësorit ka besimin me të ulët në mesin e institucioneve të Kosovës.