Aleanca për Shqiptarët: Gjuha e përdorur ndaj ambasadorëve është e patolerueshme

18.12.2016 11:57:42

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ndaj gjuhës së përdorur nga lideri i OBRM-PDUKM-së Nikolla Gruevski, para protestuesve të kësaj partie që kanë bërë presion mbi punën e KSHZ-së për disa ditë me rradhë. Aleanca për Shqiptarët gjuhën e përdorur nga Gruevski e vlerëson të patolerueshme.

“Dënojmë ashpër çdo tentim për pengimin e punës së KSHZ-së dhe të gjitha fyerjet dhe brohoritjet raciste dhe shoviniste që bëhen në drejtim të tyre dhe popullit shqiptar nga po këta njerëz. Thellësisht jemi të bindur se rruga e vetme e Republikës së Maqedonisë eshtë ajo drejt Perëndimit, integrimit në NATO dhe BE, bashkë me shtetet tjera të kësaj familjeje europiane. Prandaj, fjalori i përdorur i Nikolla Gruevskit në bisedat me përfaqësuesit ndërkombëtar, sidomos ndaj ambasadorit të SHBA-ve dhe atij të BE-së, janë fyerje ndaj miqve tanë të kahmotshëm perëndimor. Tentimi që të ofrohet destabilizim i vendit, për qëllime të ngushta partiake paraqet rrugën më të keqe të demokracisë”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.

Aleanca për Shqiptarët u bën thirrje gjithë faktorët politikë në vend, që t’u shmangen deklaratave populiste dhe konflikt-nxitëse dhe të mos pengohet puna e KSHZ-së, që në mënyrë të pavarur të japin rezultatin e verdiktit të qytetarëve, të shprehur me votë më 11 dhjetor.