Ali Berisha nderon dëshmorët e Pejës

15.12.2018 13:15:15

Nën moton ‘Pushoni të qetë, Kosova ka ushtri’, zëvendësministri i Shëndetësisë Ali Berisha, në cilësinë e nënkryetarit të AAK-së dhe kryetarit të degës së këtij subjekti në Pejë, bashkë me zyrtarë të tjerë partiakë, ka nderuar dëshmorët e atdheut, një ditë pas themelimit të Ushtrisë së Kosovë.

I shoqëruar nga bashkëpunëtorë partiak dhe familjarë të dëshmorëve të kombit nga Peja, Berisha ka vënë lule të freskëta tek përmendroja e gjeneral-majorit Shkëlzen Haradinajt dhe librit me emrat e dëshmorëve të kësaj komune, për të vazhduar edhe tek përmendoret tjera në këtë qytet.

Postimi i plotë  i Berishës:

“Edhe ne sot qëndruam Gatitu, para jush që u bëtë yje!

Nën moton ‘Pushoni të qetë-Kosova ka ushtri’ sot nderuam dëshmorët e kombit nga Peja, të rënë në luftën e fundit për Liri.

Në frymën e kremtës së Ushtrisë sikur në çdo ngjarje tjetër, kujtojmë gjakun e derdhur të këtij brezi dëshmorësh e nëpërmjet tyre edhe breza e gjenerata të të rënëve nga të gjitha periudhat e kohës, deri në Lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin.

Lavdi dëshmorëve të kombit!”, ka shkruar Berisha.