Alush Canaj: Mbrëmë e putha lirinë

09.03.2019 18:30:34
Nga Avdush Canaj

47 vjet më parë, pikërisht me 15 shkurt të vitit 1972,cerberët e UDB-së shuan yllin me emrin ALUSH CANAJ pse deshi të puth LIRINË.
Më këtë rast u sjellim disa poezi nga vepra e tij e plotë “ MBRËMË E PUTHA LIRINË “ botuar nga Shtëpia Botuese “ Faik Konica”, Prishtinë, 2018.

Alush CANAJ:
MBRËMË E PUTHA LIRINË

Mbrëmë
e pashë në ëndërr
Lirinë.
Ishte si manushaqe,
e putha në faqe.

S`kaluan as dy hapa
qentë na lehnin prapa.

S`di si u afruan,
prangat na i vunë.

(1971)
FLAMURI S`BIE

Ujqit edhe ditën ulurojnë,
duan të na frikësojnë.

Shqiponja jemi ne,
mbi ta bëhemi rrufe.

Dikush edhe vritet,
flamuri s`bie. Valvitet.

Kallnor, 1972

FLAMURI MBI KULLË

Më ndjekin ujqit
për flamurin mbi kullë.

Copa-copa do të më bëjnë
si drenushën e pafajshme,
nëse më kapin në maje të lisit.

Ulurojnë,
lisin duan ta rrëxojnë
po rranjet e tij thellë në Iliri.

Si lumi kur del nga shtrati
zemërimi rritet e rritet,
plasin nga inati.
Flamuri mbi kullë valvitet.

Kallnor, 1972

HARABELI

Unë jam harabeli
me shtëpi te zabeli.
Me këngë bleroj barin,
luftoj me acarin.
Ma tregojnë kamxhikun,
s`e luaj dot qerpikun,
as shkojnë në shtegtim,
rri në vendin tim

Në Tokën e lavdisë,
në zemër të Ilirisë.

(1970)