Ambasada e SHBA në Tiranë: Opozita rrezikon të rreshtohet me gjyqtarët e korruptuar

05.10.2016 21:27:24

Ambasada amerikane në Tiranë ka reaguar pas ankesës së bërë nga Partia Demokratike në Gjykatën Kushtetuese lidhur me ligjin e kontrollit të figurës së gjyqtarëve e prokurorëve, duke akuzuar partinë kryesore të opozitës se rrezikonte ta vendosë veten në mbrojtje të të korruptuarve.

E pyetur nga “Zëri i Amerikës” për këtë zhvillim, ambasada amerikane tha se i qëndron deklaratave të dy javëve më parë të ambasadorit Doland Lu, sipas së cilave, opozita po rrezikon të rreshtohet në mbrojtje të gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar.

Pak ditë më parë, kryediplomati amerikan në Tiranë, Donald Lu, tha se, është e drejta kushtetuese e opozitës ta ankimojë ligjin e “vetting”­ut në Gjykatën Kushtetuese apo të bojkotojë mbledhjet e mëtejshme të komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi. “I kemi thënë udhëheqjes së Partisë

Demokratike se rrezikojnë të bëhen ajo parti që populli shqiptar beson se është kundër kësaj reforme dhe se po mbron gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, ose gjyqtarë e prokurorë tek të cilët kanë ndikim politik”, tha Lu.

Ai kujtoi edhe deklaratën e bërë nga Presidenti Nishani, i cili tha në një intervistë se edhe pse nuk i pëlqen disa nga nenet e ligjit të “vetting”­ut, as ai dhe as ekspertët e tij ligjorë nuk mund të gjejnë diçka jokushtuetuese në ligj. “Ne, Shtetet e Bashkuara, iu bëjmë thirrje të gjitha partive politike në Shqipëri të vazhdojnë të kërkojnë zbatimin e plotë dhe të shpejtë të reformës në drejtësi”, tha Lu.