Ambasadori amerikan: SHBA-të nuk e harrojnë vrasjen e vëllezërve Bytyqi, i kemi provat

08.06.2019 17:27:19

Ambasadori amerikan në Serbi, Kyle Scott ka thënë se shteti prej nga vije ai, nuk mund ta harrojë vrasjen e vëllezërve Bytyqi në Serbi pas përfundimit të luftës në Kosovë.

Ai ka thënë për gazetën serbe, ‘Danas’ se fajtorët që e kanë kryer krimin duhet të dalin para drejtësisë.

“Zgjidhja e këtij rasti është me rëndësi. Është me rëndësi pasi që pushteti serb i ka arrestuar tre shtetas amerikanë dhe i ka likuiduar derisa ata i kanë pasur duart e lidhura prapa shpine. Askush qe 20 vjet për këtë rast nuk është përgjigjur. Kjo është temë që nuk mund ta harrojmë dhe mendojmë se drejtësia duhet të shkojë në vend”,  ka thënë ambasadori amerikan.

Po ashtu, Scott ka shtuar se SHBA-të kanë fakte për vrasjen e vëllezërve Bytyqi.

Sipas tij, është e qartë se ata kanë hyrë në Serbi, janë arrestuar, janë mbajtur në burg dhe trupat e pajetë të tyre janë gjetur në lindje të Serbisë.

Diplomati amerikan për gazetën “danas” ka shtuar se SHBA-ja i ka disa fakte lidhur me vrasjen e vëllezërve Bytyçi.

Në korrik të vitit 1999 Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, u arrestuan në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë.Në vitin 2001, trupat e tre vëllezërve u gjenden në një varr masiv në fshatin Petrovo Selo në lindje të Beogradit.